Gjatë takimit të Ministrit për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka me Komitetin Drejtues të Projektit të Termocentralit "Kosova e Re"- Foto: MZHE

Formatizohen Kontratat Komerciale të Termocentralit 'Kosova e Re'

Komiteti Drejtues i Projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, aprovoi unanimisht procedurën e formalizmit të kontratave komerciale të këtij projekti.

Gjatë një takimi me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Komiteti Drejtues i Projektit (KDP), i TC “Kosova e Re”, takim i cili ishte i pari pas nënshkrimit të kontratave komerciale të projektit, u diskutuan zhvillimet e fundit të këtij projekti.

“Në këtë takim KDP ka aprovuar edhe kërkesën e investitorit ContourGlobal për pranim të ndryshimit të organizimit juridik të kompanisë, e cila tashmë është listuar në Bursën e Londrës. Ky avancim i kompanisë investuese të Projektit TC “Kosova e Re”, e lehtëson edhe më shumë mbarëvajtjen e procedurave të mbetura deri në finalizimin e Projektit”, thuhet në njoftimin e Zhvillimit Ekonomik.

Po ashtu gjatë këtij takimi janë marrë edhe disa vendime të tjera teknike të cilat kanë të bëjnë me hapat e paraparë kohorë të këtij projekti.

“Duhet të rikujtojmë se Termocentrali “Kosova e Re” do të bëhet katalizator i zhvillimit ekonomik duke ofruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Ndërtimi i këtij termocentrali po bëhet për t’i dhënë pavarësi energjetike Kosovës. Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re po bëhet për të zëvendësuar njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A””, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian. Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçincën neto më të madhe se 40.0%. Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët. Masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.