Nenkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bën publike sloganin dhe logon e re të partisë për zgjedhjet lokale - Foto: PDK

‘Forca e Ndryshimit’, Slogani i PDK-së për Zgjedhjet Lokale

Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur sot sloganin e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit i cili do të jetë “Forca e Ndryshimit”.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se slogani i ri reflekton forcën dhe vullnetin e kësaj partie për të ndryshuar vetë por edhe për t’iu prirë ndryshimeve në vend.

“Edhe kësaj here, sikurse ka bërë gjithmonë, Partia Demokratike e Kosovës po dëshmon se është e aftë të eci në hap me kohën, ka përgjegjësinë që ti dëgjoj e kuptojë më së miri kërkesat e qytetarëve dhe ka kapacitetet që të përgatisë ofertën më të mirë politike në vend”, ka thënë Krasniqi sipas një komunikate të PDK-së.

Ai tha se hapi i parë i PDK-së si forcë e ndryshimit përbëhet nga kandidimi i mbi 80% të kandidatëve për kryetarë komunash për herë të parë, “duke dëshmuar gatishmërinë për të ndryshuar dhe për t’u ripërtërirë”.

“Po ashtu një hap tjetër domethënës i ndryshimit është kandidimi i tre grave, profesioniste të shquara e të suksesshme, si kandidate për kryetare të komunës, duke demonstruar qëllimin tonë për të forcuar rolin e grave në vendimmarrje”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.

Në këtë konferencë Krasniqi ka paraqitur edhe logon e re të PDK-së, e cila, sipas tij konsiston në akronimin e emrit të partisë në ngjyrë të kaltër, por me një stilizim modern të kokës së shqiponjës në shkronjën D.

PDK ka vendosur që ditën e parë të fushatës mos ta bëjë në formë tradicionale në ndonjë tubim, por përmes aktiviteteve që vënë në qendër të vëmendjes qytetarin.