Lagjja e Romëve në Mitrovicë

Fond i Kombeve të Bashkuara për Romë, Ashkalinj e Egjiptas

Kombet e Bashkuara do të krijojnë fond ndihme për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit që u helmuan me plumb pas transferimit të tyre në kampet e zhvendosjes në pjesën veriore të Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres do të krijojë fond për t’i përkrahur këto komunitete, në mënyrë që të sigurojë ndihmën e nevojshme për ta.

Ky fond do të financojë projekte të ndihmës me prioritet në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe Leposaviq, por do të përfitojnë edhe  komunitetet rome, ashkalinje dhe egjiptase në pjesë të tjera të Kosovës.

“Projektet e asistencës do të fokusohen për nevojat më të ngutshme të komuniteteve më të prekura, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën”, ka thënë Stéphane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Guterres njëkohësisht i ka dhënë mirënjohje punës së Panelit Këshillëdhënës për të Drejta të Njeriut i cili ka hetuar dyshimet se UNMIK në Kosovë ka shkelur të drejtat e njeriut.

“Në mesin e rasteve të shqyrtuara nga Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut, i cili shqyrtoi shkeljet e pretenduara të të drejtave nga ana e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ankesa e parashtruar nga 138 persona nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas, të cilët vuajtën nga helmimi me plumb dhe pasoja tjera të rënda shëndetësore, si pasojë e zhvendosjes së tyre në kampet në pjesën veriore të Kosovës’”, thuhet në komunikatën e Kombeve të Bashkuara.

BIRN-i kishte shkruar për hetimin që e akuzonte UNMIK-un për shkelje të të drejtave të njeriut.

http://kallxo.com/sipas-nje-hetimi-unmik-shkeli-te-drejtat-e-njeriut/

Kjo organizatë do të vazhdojë të punojë që të parandalojë situatat e tilla, në mënyrë që të njëjtat mos të përsërite më, përfundon komunikata.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar vitin e kaluar se të prekurit nga helmimi me plumb po e presin drejtësinë.

Romët e Helmuar në Kosovë Presin Drejtësinë nga OKB

Komunitetet e rrezikuara nga helmimi ishin zhvendosur pastaj në Lagjen e Romëve në Mitrovicën Jugore.

Jeta e Re Larg Sëmundjes së Plumbit në Gjak