Lëvizja FOL prezanton raportin për punën e gjyqësorit në lëndët e natyrës së korrupsionit – Foto: KALLXO.com

FOL Publikon Rezultatet e Gjyqësorit në Rastet e Korrupsionit

Në tryezën e mbajtur sot, Lëvizja FOL publikoi raportin lidhur me performancën e gjyqësorit në luftimin e korrupsionit gjatë vitit 2016.

Raporti i FOL është i bazuar në disa matës së performancës së gjyqësorit siç është kohëzgjatja e përfundimit të lëndëve, indeksi i lëndëve të grumbulluara, norma e zgjidhjes së rasteve dhe fluksi i lëndëve.

Sipas këtij raporti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2016 ka zgjidhur 76 raste të korrupsionit. Ndërsa në periudhën e njëjtë kohore janë pranuar në punë 81 raste të reja. Fundi i vitit 2016 e gjeti Gjykatën e Prishtinës me 198 raste të pazgjidhura të korrupsionit.

Performancën më të mirë sipas këtij raporti gjatë vitit 2016 e ka pasur Gjykata Themelore në Gjakovë,të cilës i kanë mbetur në punë vetëm edhe 12 lëndë të pazgjidhura të korrupsionit, duke zgjidhur 41 nga gjithsej 53 lëndët që kishte në punë.

Puna e mirë e Gjykatës Themelore të Gjakovës u vërtetua edhe sipas matësit tjetër të këtij raporti, ku norma e zgjidhjes së lëndëve e kësaj Gjykate ishte 315 %, ndërsa Gjykata e Prizrenit më vetëm 73 % ishte Gjykata me performancën më të dobët.

Gjykata e Prishtinës si gjykata më e ngarkuar me lëndë në Kosovë, nuk qëndroi mirë as në matësin tjetër, atë të kohëzgjatjes së përfundimit të lëndëve.

Sipas raportit, mesatarja e  kohëzgjatjes së lëndëve të korrupsionit është 960 ditë apo rreth tre vjet. Në anën tjetër edhe sipas këtij matësi, Gjykata në Gjakovë ishte më e suksesshmja, me mesataren prej 107 ditëve për zgjidhje të lëndëve të korrupsionit.

Lidhur me këtë performancë jo të mirë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjyqtari i kësaj gjykate, Beqir Kalludra, evidentoi një varg problemesh me të cilat po përballet kjo Gjykatë.

Kalludra tha se numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i trupave gjykuese, numri i madh i lëndëve të korrupsionit dhe ndërlikueshmëria e tyre, duke përfshirë edhe lëndët që EULEX-i po i transferon tek vendorët, janë shkaktarët se pse në Prishtinë po ka vështirësi.

Gjyqtari Kalludra propozoi që të ndërrohet Ligji për Gjykatat në Kosovë dhe se veprat që parashohin dënim me burg deri në 10 vjet të gjykohen nga një gjyqtar i vetëm dhe jo nga trupi gjykues prej tre gjyqtarësh e kjo do të mundësonte që gjyqtarët të kenë më shumë kohë në dispozicion për të zgjidhur lëndë.

http://kallxo.com/fol-lendet-e-grumbulluara-vonojne-drejtesine/