Diskutimi për prokurimin publik | Foto: KALLXO.com

FOL: Prokurimi Publik i Cenueshëm nga Korrupsioni

Në një tryezë të organizuar nga Lëvizja “Fol” ku u diskutua për prokurimin publik, doli konstatimi se ky aktivitet është më i cenueshmi nga korrupsioni.

“Prokurimi publik është një prej aktiviteteve të qeverisë më i prekshëm nga korrupsioni. Për shkak të natyrës së fshehtë është vështirë të matet korrupsioni. Kontratat publike rrinë të fshehura prej publikut”, tha Jeton Zulfaj nga Lëvizja Fol.

Zulfaj e paraqiti raportin e kësaj lëvizjeje rreth trasnparencës së prokurimit publik.

Ai përmendi ligjet që kufizojnë transparencën e prokurimit.

“Korniza e tashme ligjore ofron transparencë të kufizuar për shpenzimet publike. Ligji për Qasje në Dokumente Publike ofron transparencë bazuar në rregullin ‘nëse nuk pyet, nuk është i hapur’. Ligji për Shoqëri Tregtare ofron transparencë të kufizuar lidhur me pronarët e bizneseve, menaxhmentin dhe përfituesit. Ligji për Prokurim Publik kufizon qasje në dokumente publike” tha Zulfaj.

Safet Hoxha, kryetar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, e konsideroi prokurimin proces kompleks.

“Njëra prej parakushteve themelore për me eleminu korrupsionin është transparenca në prokurimin publik. Të gjitha palët e interesuara duhet të kenë qasje të barabarta në burimet e të dhënave dhe informatave, në prokurim publik transparenca duhet të jetë në të gjitha fazat”, tha Hoxha.

Ai tha se asnjë dispozitë ligjore nuk ndalon publikimin e kontratave.

“Asnjë dispozitë juridike nuk e ndalon publikimin e kontratave nga ana e autoritetit kontraktues të prokurimit publik, krejt çka ndalohet nga dokumentacioni i tenderimit është planifikimi”, tha Hoxha.

Stephen Carpenter nga USAID përmendi katër kushte që prokurimi publik të jetë transparent- funksionimi i prokurimit elektronik dhe auditimit të jashtëm e të brendshëm, angazhimi i medieve dhe shoëria civile aktive.

“Sa i përket prokurimit elektronik, është një arritje e madhe dhe kjo prezanton një hap të madh drejt modernizimit të prokurimit publik në Kosovë. Aktualisht është një implementim i pjesshëm”, tha Carpenter.

Shaip Havolli, shefi i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK)tha se nga kjo agjenci janë bërë kërkesa për dënimin e zyrtarëve të prokurimit që kanë bërë shkelje, por kjo nuk ka ndodhur.

“Kemi bërë shumë kërkesa që zyrtarët e prokurimit të sanksionohen për shkeljet që i kanë bërë. Deri më tash shumë pak ka dënime, ose denimet janë vërejtje me shkrim, ose me gojë në vend se t’ju merret certifikata zyrtarëve, aty është esenca se nëse atyre u merret certifikata ata do të performojnë më mirë”, tha Havolli.

Ai deklaroi se një numër i caktuar i bizneseve kanë kallëzime penale, janë të dënuara, kanë të arrestuar, por nuk janë në listën e zezë, ose vetëm e ndërrojnë pronarin dhe vazhdojnë veprimtarinë.

Kreshnik Gashi nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) tha se në këtë diskutim po flitet për transparencën, por nga ana tjetër Qeveria e Kosovës vazhdon ende ta mbajë të fshehtë kontratën më të madhe në Kosovë.

“Ne gjithmonë po flasim për transparencë dhe për llogaridhënien në prokurimin publik e po flasim për shpenzimet e vogla, për tenderët e mesëm, por po harrojmë një gjë shumë të thjeshtë. Qeveria e Kosovës edhe sot vazhdon me na mbajtë të fshehtë kontratën më të madhe në vend, shpenzimin më të madh të buxhetit të Kosovës, kontratën e autostradës, 1 miliard euro”, tha Gashi.

Ai deklaroi se askush në Kosovë nuk e di se si janë shpenzuar këto para.

“Na sot si shoqëri civile nuk e kemi pa se ku kanë shku ato pare. Askush prej neve nuk e dimë sa ka kushtu një kamion zall në autostradë, sa ka kushtu një buldozer në autostradë, sa ka kushtu një kilometër asfalt në autostradë”, tha Gashi.

Gashi më tutje foli edhe për mbajtjen fshehur të shpenzimeve të Zyrës së Kryeministrit edhe pse BIRN e ka fituar në gjykatë që një vjet e gjysmë përballjen gjyqësore për qasje në këto dokumente.

“Qe një vit e gjysmë Zyra e Kryeministrit të Kosovës refuzon me zbatu vendimin e gjykatës. Për çfarë transparence jemi tu folë në këtë rast. Qe një vjet e gjysmë Gjykata Themelore e Pishtinës refuzon me ndjekë penalisht Kryeministrin e Kosovës për moszbatim të vendimit të gjykatës”, përfundoi Gashi.