Raporti i Lëvizjes Fol | Foto: Lëvizja "Fol"

Fol: Lëndët e Grumbulluara Vonojnë Drejtësinë

Në një konferencë ku u paraqit raporti “Përtej Numrave- Performanca e Prokurorisë në Luftën Kundër Korrupsionit”, Lëvizja “Fol” erdhi në përfundim se gjatë vitit 2016 janë zgjidhur më shumë lëndë korruptive sesa janë pranuar nga shtatë prokuroritë dhe Prokuroria Speciale.

“Të gjitha prokuroritë në nivel kombëtar kanë pasur performancë të mirë në numra, kanë zgjidhë më shumë lëndë sesa që ka pranuar gjatë vitit 2016. Si trend është i mirë se çon në reduktimin e lëndëve”, tha Jeton Zulfaj nga Lëvizja “Fol”.

Për Zulfajn lëndët e grumbulluara paraqesin vonim të drejtësisë.

“Numri i lartë i lëndëve të grumbulluara në disa rajone vazhdon të vonojë drejtësinë në disa prokurori. Prokuroria e Prishtinës ka numrin më të madh të lëndëve të grumbulluara”, tha Zulfaj.

Raporti sipas hartuesve të tij synon t’u ndihmojë prokurorive në luftën kundër korrupsionit dhe qytetarëve për ta kuptuar se si funksionojnë prokuroritë.

Sipas Lëvizjes “Fol” në vitin 2016 prokuroritë kanë pranuar 826 lëndë të reja kundër korrupsionit, ndërsa kanë zgjidhur 1073 të tilla. Prokuroritë i patën në punë 2250 lëndë, ndërsa lëndë të pazgjidhura kundër korrupsionit janë 1177.

Edhe Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha se prokuroritë kanë zgjidhur shumë lëndë kundër korrupsionit.

“Prokuroria ka arritur që të zgjidhë 130 për qind të rasteve të korrupsionit e që është në përputhshmëri të plotë më raportet e publikuara nga ne”, tha Isufaj duke u ankuar për buxhet të pamjaftueshëm të Këshillit Prokurorial.

Zëvendëskryeprokurorja e shtetit Sevdie Morina e konsideroi shqetësuese hedhjen e aktakuzave dhe pushimin e hetimeve.

“Me të vërtet është shqetësues numri i rasteve që gjatë rrugës së procedimit të tyre hedhen dhe pushohen. Aty ku nuk ka prova, si në start me kallëzim penal, si gjatë hetimeve, detyrë që duhet me ba prokurori e që është kryerja e detyrës me profesionalizëm është hedhja përkatësisht pushimi, sepse çdo veprim i jashtëligjshëm është keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ngritja e akuzave është edhe më shqetësuese nëse ngrihen akuzat pa thelbin që e parasheh ligji”, tha Morina.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Prokurorial kryeprokurori Aleksandër Lumezi kritikoi mungesat e prokurorëve në gjykimet kundër korrupsionit.

http://kallxo.com/lumezi-kritikon-mungesat-e-prokuroreve-ne-gjykimet-per-korrupsion/

KALLXO.com ka shkruar për shumë seanca të cilat janë shtyrë për mungesë prokurorësh. Shkrimet e tilla mund t’i lexoni këtu.