Ushtarët e FSK-së në automjetin e tyre | Foto: Drejtësia në Kosovë

Foggo: Transformimi i FSK-së me Ndryshim të Kushtetutës

Gjatë ndërrimit të komandës së KFOR-it nga gjeneral-majori Giovanni Fungo te gjeneral-majori Salvatore Cuoci, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli-admirali James G. Foggo III tha se duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për transformimin e FSK-së, e për këtë është përgjegjëse Qeveria e Kosovës.

“Për 18 vjet kemi parë zhvillimin dhe progresin e FSK së, pyetja është për Qeverinë e Kosovës, për ndryshimet në kushtetutë, nuk është një vendim që unë duhet ta marr. Kushtetuta duhet të ndryshohet që të bëhet transformimi”, është shprehur komandanti Foggo.

James G. Foggo III ka folur edhe për armatimin e Serbisë kohët e fundit duke thënë se secili shtet ka të drejtë të bëjë trajnimin e forcave të tij ushtarake.

“Secili shtet ka të drejtë të bëjë trajnimin e forcave të tyre. Nuk shoh ndonjë problem mes forcave të Kosovës dhe atyre të Serbisë”, ka përfunduar Foggo.

Tanimë ish komandanti i 21-të i KFOR-it Giovanni Fungo ka thënë se gjatë 15 muajve të qëndrimit të tij në Kosovë për ta kryer misionin e tij me sukses i është dashur që ta njihte më shumë këtë vend.

“Që të kryeja misioni tim ishte që të njihja më mirë Kosovën, të dilja jashtë dhe të takoja të rinjtë. Ngjarjet ishin mundësi e mirë që t’i njihja ata, tani koha është që të shkoj. I uroj një të ardhme të ndritshme Kosovës, po e lë një pjesë të zemrës time këtu” ka potencuar Giovanni Fungo.

Kurse Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë kësaj ceremonie ka thënë se duke iu falënderuar KFOR-it FSK-ja është profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.

“Fungo ka qenë i pranishëm në Kosovë në një kohë të rëndësishme. KFOR-i në Kosovë jo vetëm që ruan paqen, por edhe e ndërton paqen. Duke ju falënderuar KFOR-it, FSK-ja sot është profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Komandanti i 22 i KFOR-it në Kosovë Salvatore Cuoci ka thënë se ende ka shumë për t’u bërë.

“Jam komandanti i 22-të dhe kemi për të bërë shumë për një regjion dhe një shtet më të mirë”, është shprehur Cuoci.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandave të KFOR-it, Hashim Thaçi i ka ndarë edhe medalje gjeneralit Fungo për paqe, shërbim, siguri e stabilitet në Kosovë.