nga një konferencë për medie e FMN-së dhe zyrtarëve kosovarë

FMN Vëren Mosmarrëveshje Brenda Koalicionit

Disa ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi rishikimin e dytë dhe të tretë të Programit Stand-By Arrangement SBA me Kosovën duke i ofruar asaj qasje në 100 milionë euro shtesë, publikoi edhe raportin e tij.

Në raport, përveç vlerësimit të performancës ekonomike të Kosovës, FMN-ja përmend edhe lindjen e mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

“Tensionet politike në lidhje me protestat e opozitës më herët gjatë vitit janë ulur, por disa mosmarrëveshje kanë dalë brenda koalicionit qeverisës”, thuhet në raportin e FMN-së.

Raporti i FMN-së përmend edeh tensionet e mundshme politike.

“Tensionet politike si brenda dhe jashtë vendit, mund të intensifikohen në muajt e ardhshëm gjë e cila ndikon në besimin. Përveç kësaj, drejt zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme mund të shohim kthimin e masave populiste që mund të komprometojnë stabilitetin afatmesëm”, vijon raporti.

FMN në raport thotë se performanca ekonomike e Kosovës mbetet pozitive, me rritje të llogaritur në 3.5 për qind në vitin 2016 dhe të parashikuar në nivele të ngjashme të këtij viti. Deficitet fiskale, sipas FMN-së,  mbeten të përmbajtura, ndërsa të ardhurat tatimore të fuqishme.

Raporti thotë se të gjitha kriteret e performancës dhe objektivat treguese( deficiti fiskal, bilanci bankar , shpenzimet aktuale) për dhjetor 2015 dhe qershor 2016(respektivisht rishikimet e dyta dhe treta) arritën ne kufizime te përshtatshme.

Për FMN-në Kosova mund të ketë rritje më të madhe ekonomike nëse privatizohet Brezovica dhe ndërthet termocentrali “Kosova e Re”.

“Nga ana tjetër shohim se rritja ekonomike mund të jetë më e lartë nëse realizohet plani për resortin e turistik të Brezovicës dhe termocentralin e ri energjetik”, parashikon raporti.

FMN-ja sistemin bankar kosovar e vlerëson të shëndetshëm dhe me rritje të fuqishme të kreditimit, ndërsa konstaton se  rezultati i deficitit (1.2 për qind e GDP-se) ishte gjithashtu me i ulët sesa ishte ne objektiv.

Por FMN-ja tregon se u shpenzua më shumë për pensionet e veteranëve.

“Gjithsesi, autoritetet e kanë humbur objektivin tregues të dhjetorit 2016 në shpenzime aktuale me 0.2 për qind te GDP-së për shkak te shpenzimeve më të larta sesa që janë pritur në pensione te veteranëve te luftës duke mos u qëndruar përpjekjeve për t’u përmbajtur shpenzimeve diku tjetër”, thuhet në raport.

FMN-ja në raport flet edhe për reformat e skemave të pensioneve të veteranëve të luftës.

“Autoritetet dorëzuan dhe parlamenti miratoi reformën e skemave të pensioneve për veteranë lufte para rishikimit të dytë  për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale afatmesme dhe për të përmirësuar stimuj të tregut të punës”, shpjegon raporti.

Fondi Monetar Ndërkombëtar jep edhe arsyet lidhur me vonesat për shqyrtimin e skemave të këtyre pensioneve.

“Koha e nevojshme për të mbledhur mbështetjen e nevojshme publike shpjegon vonesën në shqyrtimin. Pjesë të ligjit të ri janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Autoritetet janë zotuar për të marrë masa, nëse është e nevojshme  për të ruajtur kursimet e synuara të reformës”, shpjegon raporti.

Në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për nismën e ndryshimit të ligjit për veteranët.

http://kallxo.com/ndryshohet-ligji-per-veteranet-e-uck-se/

Rreth shpenzimeve për veteranët FMN-ja shqetësimin e kishte shprehur edhe më herët.

http://kallxo.com/shpenzimet-per-veteranet-shqetesojne-fmn-ne/

Në raport FMN-ja buxhetin e vitit 2017 të miratuar në Kuvendin e Kosovës e konsideron në përputhje me programin e saj.