Përfaqësueit e FMN-së në Kosovë në një konferencën për media | Foto: KKALLXO.com

FMN: Reformat e Kosovës, të Suksesshme

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova ka qenë e suksesshme në përmbushjen e kritereve të vendosura, dhe si rrjedhojë do të përfitojë më shumë financime, të cilat parashikohet të përdoren për investime të nevojshme.

Këto përfundime u paraqitën në konferencën e publikimit të raportit mbi të arriturat e Kosovës pas miratimit të rishikimit të parë të programit që FMN-ja ka me Kosovën.

Përfaqësuesi i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen, vuri në dukje realizimin e përshtatshëm të politikave fiskale ristrukturore, si dhe realizimin e disa ndërhurjeve kyçe.

“Jemi pajtuar së bashku me qeverinë se janë përmbushur, e para miratimi i buxhetit për vitin 2016 nga ana e Kuvendit sipas ligjit, si dhe lirimin e fondeve të privatizimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, tha Vermeulen.

Ai shpjegoi se përmbushja e reformave nga qeveria mundëson që Kosova të përfitojë edhe pjesën e dytë të fondeve prej 35 milion euro, nga gjithsej 184 milion euro që qeveria do t’i përfitojë sipas marrëveshjes me FMN-në brenda 22 muajve.

Qëllimi këtyre fondeve është ngritja e stabilitetit financiar dhe rritja ekonomike e Kosovës.

Raporti i FMN-së thotë se Kosova ka arritur një progres në reformat e nevojshme dhe se ekonomia e është duke u rimëkëmbur nga ngadalësimi i zhvillimit ekonomik me rritjen e Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 2.4% në krahasim me vitin 2014 që ishte rritur vetëm 1.2%.

Vlerësimi i FMN-së është se situata politike në vend e cila ndikon në zhvillimin ekonomik, ngërçi politik i vitit të kaluar dhe mosmarrëveshjet politike të këtij viti, shkaktojnë edhe ngecje në zhvillim ekonomik.

“Ne presim ngritje më të mirë në vitin 2016 por gjendja e fundit politike dhe mosmarrëveshjet e shkaktuara mund të shkaktojnë frikë dhe pasiguri te investitorët e huaj”, paralajmëroi Vermulen.

Përgatitja e projekteve kapitale prej 2 miliardë euro nga ana e qeverisë kishte qenë kusht nga FMN-ja për përfitimin e fondeve të BE-së, i cili është realizuar në dhjetor 2015.

http://kallxo.com/kosova-pergatit-projekte-per-mjetet-e-ndara-ne-berlin/

Ndryshimi i ligjit të Prokurimit Publik dhe Prokurimi elektronik po ashtu ishin kusht i këtij programi me FMN-në të cilat qeveria po i përmbush në vitin 2016.

http://kallxo.com/prokurimi-online-per-zvogelim-korrupsioni/

Sipas vlerësimeve nga FMN, të mbështetura edhe nga Banka Qendrore e Kosovës, rezulton se qeveria e mëparshme e Hashim Thaçit, uli investimet dhe rriti shpenzimet në paga dhe shpërblime para zgjedhjeve të vitit 2014.

Diçka e tillë shkaktoi një rritje të ulët të ekonomisë së Kosovës, me pasoja zinxhir që u vunë re edhe në vitin 2015. FMN-ja e shtyu qeverinë e re për reforma ekonomike që synojnë rimëkëmbjen.