FMN: E Pamjaftueshme Rritja Ekonomike prej 3.5 Për Qind

Shefi i Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen, ministri i Financave Avdullah Hoti dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) organizuan konferencë për media lidhur me miratimin e rishikimit të dytë dhe të tretë të programit SBA (Stand-By Arrangement).

Kreu i FMN-së për Kosovë Vermeulen tha se FMN-ja e ka vlerësuar të  kënaqshme përmbushjen e kërkesave nga Qeveria e Kosovës.

“Bordi ekzekutiv I Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi rishikimin e dytë dhe të tretë të programit që do të thotë se kanë vlerësuar si të kënaqshme përmbushjen e kërkesave dhe kanë lëshuar rrjedhimisht 79.2 milionë SDR që mund të konvertohet dikund në fond që është 100 milionë euro“, tha ai.

Vermeulen tha se rritja ekonomike në Kosovë është më e lartë se vendet e rajonit, por, sipas tij, lypset më shumë për uljen e papunësisë.

“Rritja në Kosovë ka qenë e mirë, gjithashtu në krahasim me vendet e tjera në rajon, por një rritje më e madhe do të duhet për ta ulur papunësinë dhe hendekun e të ardhurave me pjesën tjetër të Europës”, tha Vermeulen.

Vermeulen tregoi edhe çfarë rritje ekonomike kishte vjet Kosova.

“Po shohim se ka rimëkëmbje të vazhdueshme një rritje të ekonomisë prej 3.5 për qind në vitin e kaluar kryesisht e nxitur nga kërkesa e lartë dhe vendore  që është rritur për 6 për qind, por që është mbështetur nga remitancat e të konsiderueshme të diasporës kosovare”, tha Vermeulen.

Vitin e kaluar Kryeministri Mustafa teksa ishte lavdëruar në një postim në Facebook për rritje ekonomike prej 4 për qind në vitin 2015, kishte thënë se në vitin 2016 pret rritje ekonomike më të lartë.

“Të dhënat aktuale, tregojnë se viti 2016 ka filluar më mirë se viti 2015. Rrjedhimisht është e arsyeshme të presim që rritja ekonomike për vitin 2016 të jetë më e lartë”, kishte shkruar Mustafa në maj të vitit që shkoi.

Por Agjencia e Statistikave dhe Banka Qendrore e Kosovës kishin demantuar Mustafën për rritjen ekonomike në vitin 2015, duke thënë se kjo rritje ishte 3.5 për qind.

http://kallxo.com/rritja-ekonomike-nen-parashikimet-e-kryeministrit/

Në konferencën e sotme me FMN-në, ministri i Financave Avdullah Hoti tha se duke zbatuar planin e FMN-së Kosova ka stabilizuar financat dhe ka kryer obligimet.

“Qëllimi i programit dhe një agjendë shumë detale e veprimeve që është dashtë të ndërmarrim ne nga korriku 2015 ku kemi fillu këtë program, kanë prodhuar stabilitet të financave publike në vend, duke i kryer obligimet e rregullta nga ana e qeverisë, pa asnjë vonesë, pa asnjë shtyrje, duke kriju hapësirë për investimet të reja kapitale por të natyrës shumë më produktive sesa që kanë qenë më herët”, tha Hoti.

Hoti konstatoi se me politika fiskale ka pasur “rritje të të hyrave prej 10 për qind nga viti në vit”.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës  Bedri Hamza e konsideroi stabil sektorin bankar.

“Rritja e kreditimit për vitin e kaluar përherë të parë viteve të fundit e kalon shifrën 10 për qind dhe del se kreditimi është një prej faktorëve të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit. Gjithashtu kemi pasur rritje të depozitave për mbi 8.4 për qind, kreditë joperfomuese kanë shënuar nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit që në fund të vitit 2016 kanë qenë 4.8 për qind dhe janë mirë të provizionume”, tha Hamza.

Kreu i BQK-së Hamza tha se gjatë kësaj kohe në sektorin financiar bashkërisht me FMN-në janë bërë reforma jashtëzakonisht të rëndësishme.