Flet Miku i Kërcyesit të Zhdukur tek Ura e Fshejtë

“Dje kishim ardhë për peshk. Ai ishte në një tavolinë më poshtë dhe mu lut njëherë që ta dërgoj te ura me veturën time, por shoktë që i kishte në tavolinë nuk më lanë sepse thanë që po don me kcy prej urës dhe kishte pirë pak”, tha Fatmir Bejra.

Më tej, Bejra tregon se si e kaloi me barkën e tij Sali Gërqinën matanë lumit.

“Ai mu lut që ta marr me barkë që të kalonte andej lumit, mirëpo edhe nga barka ra, u rrëzua dhe dul not. Ishte shtrirë nja 5 minuta në breg atje dhe pastaj ka vazhduar përpjetë. Ne po zinim peshk. Pas 15 minutave kam dëgjuar një krismë shumë të keqe, atje lart pas urës, te shkëmbi. Ai e ngriti kokën për 5 sekonda dhe u zhyt, nuk doli më. Unë bërtita që të lajmëroj dikë sepse dikush nuk po del prej ujit dhe vazhdova me barkë drejt. Kërkuam dy a tri herë por ishte e kotë”, tha Bejra i emocionuar.

Ndërsa, rreshteri Albion Çollaku nga njësia e kërkim-shpëtimit e FSK-së tha për KALLXO.com se kërkimet kanë filluar qysh dje por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.

“Njësia jonë është informuar dje rreth orës 6:30 të mbrëmjes së djeshme që dyshohet se një person është hedh këtu në sipërfaqen e ujit. Në bazë të informacioneve që kemi është ra, është pa njëherë dhe më pas është zhdukur, nuk është parë më fare”, tha Çollaku.

Më tej eprori i FSK-së tregoi për operacionin e djeshëm të kërkim-shpëtimit.

“Njësia jonë me të marrë urdhrin është nisur në vendin e ngjarjes, rreth orës 8:00 njësia jonë ka filluar me operim në vendin ku është dyshu që ka ra viktima dhe nga ora 8:30 deri në ora 10:30 në mbrëmje kemi bërë kërkimin në vendin e dyshuar. Gjatë asaj kohe nuk kemi hasur në viktimën. Në ora 10:30 e kemi përfundu misionin për ditën e djeshme për shkak të errësirës”, tha Çollaku.

Rreshteri i FSK-së tregoi se sot rreth orës 9:15 ka filluar sërish operacionin e kërkimit të viktimës.

Mbrëmë KALLXO.com raportoi për këtë rast.

http://kallxo.com/mesohet-identiteti-te-zhdukurit-ne-lume/