Flet Kryetari i Degës së Teuta Rugovës

Lidhja Demokratike e Kosovës në një komunikatë të dërguar më herët deklaroi se kryetarët e degëve të LDK-së i kanë garantuar kryetarit Isa Mustafa se askush nga deputetët e dalur nga degët e tyre nuk do e përkrahin koalicionin e PAN-it.

KALLXO.com ka kontaktuar me Hazir Borovcin, i cili është kryetar i degës së tretë të LDK-së, e cila njihet ndryshe edhe si “Dega e Presidentit Rugova”, por ai mohon se ka qenë pjesë e takimit Të kryetarëve të degëve të LDK-së.

“Ja unë s’kam qenë në atë mbledhje, veç nëse kanë provuar me më marrë, e s’kanë mujt. Unë s’kam qenë në atë takim. Unë jam kryetar i degës së tretë të LDK-së, unë kam qenë jashtë Prishtinës, por unë nuk kam informacion për takimin”, tha për KALLXO.com Borovci.

Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova ka qenë kandidate e LDK-së e propozuar nga dega e tretë e LDK-së, degë të cilën e udhëheq Hazir Borovci.

Ai refuzoi të komentoj deklarimet e sotme të Teuta Rugovës, duke thënë që s’ka informacione, pasi ka qenë jashtë Prishtinës sot gjatë ditës.

Në listën e kandidatëve për deputetë të koalicionit LAA, dega e tretë e LDK-së e udhëhequr nga Hazir Borovci, ka pasur 10 kandidatë, ku 4 prej tyre janë zgjedhur.
Vjosa Osmani, Teuta Rugova, Doruntinë Maloku dhe Arban Abrashi janë deputetë të degës së tretë të LDK-së apo “Dega e Presidentit Rugova”.