Sadri Delija (djathtas), babai i Përparimit, i vdekur në Siri. Foto: Kallxo.com

Flet Babai i Përparim Delisë, i Vdekur në Siri

Familjarët e Përparim Delijës, kosovari i raportuar mbrëmë si i vrarë në Siri, janë duke u përgatitur për të hapur të pame pas lajmit që kanë marrë.

Babai i tij, Sadri Delija, pretendon se djali i tij ka gjetur vdekjen në një aksident komumnikacioni në Siri.

Në shtëpinë e tij në fshatin Palabardh të Gjakovës, të premten paradite mbretëronte heshtja.

Sadri Delija tha për KALLXO.com se Përparimi kishte shkuar në Siri nga Gjermania ku kishte shkuar shtatë vite më parë dhe ishte martuar me një shtetase turke.

Kishte qenë vjehrra e Përparimit ajo që ua kishte kumtuar familjes në Palabardh lajmin për vdekjen e tij.

“Ne lajmin e kemi marrë nga vjehrra e tij që jeton në Gjermani. Në bazë të fotografive, djali ka vdekur në aksident komunikacioni me një motoçikletë. Atje ka shku prej Gjermanisë, unë ma vonë e kam marrë vesh se ai nuk ka qenë tu jetu ma në Gjermani. Vet ka pas qejf me jetu atje, nuk është vra në luftë”, tha Sadri Delija.

Qe shtatë vjet, ai thotë se Përparimi nuk ëhstë kthyer më në Kosovë.

“Qe 7 vjet nuk e kam pa djali. Ai në Gjermani ka shku për me studju gjuhen e fenë. Kur ka shku në Siri, atje nuk ka pas luftë atëherë por ky është shkrimi i Allahit, kësmetin e ka pas kështu”, tha Sadri Delija.

Përparim Delija është vëllai i Arbër Delisë, i dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri.

Ai është dënuar pasi kishte pranuar fajësinë në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Por babai i tij thotë se Arbër Delija është dënuar “padrejtësisht”.

“…Arbri u kanë para 5 vjetëve, ka nejt 6 muaj atëherë u kanë e lirë kush ka dashtë ka shkue e ka pa që nuk asht në rregull është kthye e ka ardhur në shpi ka kiju familje, e ka shoqen e ka djalin edhe e dënuan këta, edhe pse nuk asht kanë ligji atëherë mos me shkue, po qat punë ja banë tash asht në Dubravë”, tha Sadri Delija.

http://kallxo.com/edhe-nje-kosovar-vritet-ne-siri/