Flet Avokati që Bëri Kallëzim Penal për Abuzimet në Arsimin e Drenasit

Gazmend Halilaj tha se u ofroi ndihmë juridike mësuesve Ramadan Ramaj dhe Sejdi Haxhimulaj që denoncuan keqpërdorimet nga kolegu i tyre Fehmi Ramaj.

Avokati Gazmend Halilaj i është gëzuar impaktit të emisionit “Jeta në Kosovë“, i cili zbuloi skandalin e falsifikimit të notave në shkollën e Tërdecit të Drenasit.

NDËRLIDHUR

Halilaj thotë se e ka ndihmuar mësuesin Ramadan Ramaj në përpilimin e shkresave pasi kishte parë se ai ishte injoruar në të gjitha institucionet ku e ka denoncuar falsifikimin e notave nga kolegu i tij Fehmi Ramaj.

“Në njëfarë mënyre ka qenë jo problem i tij personal por ka qenë problem me interes të përgjithshëm dhe duke besuar në qëllimin e tij të mirë unë i kam ofruar ndihmën time juridike. Më ka treguar se si e kanë injoruar”, tha Halilaj.

Në hulumtimin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’ u zbulua se përveç falsifikimit të notave të 12 nxënësve, Fehmi Ramaj kishte bërë edhe deklarim të rrejshëm nën betim për përvojën e tij të punës.

Për këtë çështje, Prokurorisë i ishte drejtuar mësuesi i shkollës “Shotë Galica” të Abrisë së Epërme, Sejdi Haxhimulaj.

Ai pretendon se drejtoria e shkollës dhe Drejtoria e Arsimit ia bënë të padrejtë kur atij ia hoqën përvojën 6-vjeçare të punës e Fehmi Ramajt dhe bashkëshortes së tij Indira Ramaj jo.

“Për mu është e drejtë që ma kanë hjekë përvojën e punës sepse nuk kam kontribuar. Gjashtë vite kam qenë në Gjermani. Por, pse mos t’u hiqen edhe Fehmi Ramës dhe Indire Ramës, të dy janë bashkëshortë”, tha Haxhimulaj.

Avokati që ka përpiluar kallëzimin penal ndaj Fehmi Ramajt edhe për këtë çështje thotë se ka vërejtur një sjellje tjetër të institucioneve përkatëse pas transmetimit të emisionit “Heshtja e Falsifikimit të Notave”.

“Tanimë është e sigurt që e ka bërë të veten emisioni (“Heshtja e Falsifikimit të Notave”) dhe po shihet qartë një trajtim më njerëzor i secilit dhe mendimi im është që këta njerëz që kanë bërë këtë vepër normal duhet të përgjigjen”, vlerësoi Halilaj.

Disa ditë pas transmetimit të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, shkarkoi nga pozita drejtorin e Arsimit, Sadik Tahiraj.

‘Heshtja e Falsifikimit të Notave’, Shkarkohet Drejtori i Arsimit në Drenas

Ndërsa, të plotë emisionin për skandalin e falsifikimit të notave në shkollën “Shotë Galica” në Tërdec mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:

http://kallxo.com/jnk/heshtja-e-falsifikimit-te-notave/

07 Shkurt 2017 - 13:10

Doruntina Baliu 07/02/2017 - 13:10
NDËRVEPRIMI0

Flet Avokati që Bëri Kallëzim Penal për Abuzimet në Arsimin e Drenasit

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI

Send this to a friend