Foto: Facebook

Fjalia që Shfaq Çarjet e Brendshme në VV

Fjalia e Aida Dërgutit në të cilën ofendohet Albin Kurti pas arrestimit në lidhje me gjykimin për lotsjellësin në Kuvend, ka ndarë zyrtarët dhe aktivistët e VV-së në përkrahës të njërit apo tjetrit deputet të këtij subjekti.

Fjalia fyese për Kurtin, sipas KTV-së gabimisht shkoi në grupin e viberit të deputetëve të Vetëvendosjes, edhe pse televizioni thotë se i ishte drejtuar vetëm Dardan Molliqajt.

Pas daljes së komuniimit të brendshëm në publik, Aida Dërguti i kërkoi falje Albin Kurtit.

“I kërkoj falje së pari Albinit, e pastaj secilit anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje, opinionit publik për gjuhën e përdorur e mënyrën e të shprehurit në atë diskutim”, shkroi Aida Dërguti në Facebook.

Ajo më tutje sqaroi se kërkim-faljen synonte t’ia shfaqte direkt Kurtit, por nuk kishte mundur ta bënte këtë, pasi Kurti ishte arrestuar.

Rrjedhja e komunikimit të brendshëm dhe letra e Dërgutit nxiti pastaj reagime të ndryshme te deputetët dhe aktivistët tjerë. Reagimet e nisura dje, po vazhdojnë edhe sot.

Deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli në një reagim sot në Facebook i doli në mbrojtje Aida Dërgutit.

“Po i përcjell me shqetsim zhvillimet e brendshme. Aida Dërguti kërkoi falje, pranoi se për një moment gaboi. Gabimet janë të natyrës njerëzore. Unë e konsideroj gabim si vet Aida shprehjen e saj”, shkroi ish-kandidati i VV-së për kryetar të Ferizajt.

Më tutje Topalli u shpreh kundër linçimit të Dërgutit.

“Si thoni, ta linçojmë publikisht Aidën, ta fusim në gropë dhe të ia lëmë kokën jashtë dhe ta gjuajm me gurë siç i gjuanin gratë rojet e revolucionit në Iran, apo ta djegim mbi një grumbull drush siç digjeshin shtrigat në mesjetë?”, pyeti Topalli.

Ai deklaroi pastaj se mes atyre që shjanë shumë më shumë se Aida Dërguti dhe vetë Aida Dërgutit, zgjedh të jetë me të.

“Mes jush që shani 10 fish në shumë se Aida dhe Aidës unë jam me Aidën. Jam edhe për shkak të mendimit që mund të ma bëni edhe mua njësoj po bëra edhe një gabim të vetëm”, shkroi Topalli.

Ai konstatoi se sikur Albin Kurti të ishte në liri, nuk do të reagonte kundër Dërgutit siç po reagohet.

Por dje, deputeti Xhelal Sveçla i drejtoi shumë pyetje Aida Dërgutit, pas rrjedhjes në publik të fyerjes për Albin Kurtin.

Sveçla pyeti Dërgutin se çfarë probleme të brendshme të VV-së e shtynë ta thoshte atë fjali të papranueshme për Kurtin, pse e tha këtë në kohën kur ai po arrestohej dhe pse iu gëzua atij arrestimi.

Por deputeti tjetër i VV-së Fisnik Ismaili mbrojti Dërgutin.

“Nuk pranoj, ne asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit”, shkroi Ismaili.

Zyrtarë të Vetëvendosjes vazhdimisht kanë folur në publik për demokracinë e brendshme që e karakterizon këtë subjekt politik.

Dallime në qëndrime dhe çarje janë parë më herët edhe te partitë tjera.

Në vitin 2012 një rrjedhje e komunikimeve mes Hashim Thaçit e Adem Grabovcit në youtube, tregoi raportet jo të mira të tyre me Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn.

Dy vjet më pa u themelua Nisma për Kosovën – një parti që në vitin 2014 mblodhi brenda saj të pakënaqurit nga PDK-ja në krye me Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin.

“Jakupovski”, “Zagarët” e Malishevës dhe Droja për Humbje Kontrolli

Sot Nisma e PDK-janë pjesë e koalicionit qeveritar.

Edhe në fund të vitit 2006, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, LDK-ja u nda në atë që u quajt “Kuvendi i Karrigeve”, pas të cilit grupi i Nexhat Dacit formoi Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

LDD-ja pastaj në vitin 2015 u shkri përsëri në LDK, ndërsa kjo u komentua si “kthim në shtëpinë e vjetër”.