Fjalët e Shefqet Krasniqit Pasi u Shpall i Pafajshëm

Menjëherë pasi u shpall i pafajshëm në tri pika të akuzës nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Shefqet Krasniqi deklaroi se të gjithë e dinin se ishte i pafajshëm.

“Unë kam qenë i bindur nga dita e parë, keni qenë të bindur edhe ju, kanë qenë të bindur edhe atë që më kanë arrestuar, kanë qenë të bindur edhe ata që kanë urdhëruar me m’arrestu, kanë qenë të bindur që të gjithë për këtë që doli sot”, tha Krasniqi.

Ish-imami Krasniqi tha se u tregua që në Pallatin e Drejtësisë ka drejtësi.

“Unë kam potencu në momentin që është ngrit aktakuza se nëse në vendin tonë ka vetëm një shkëndijë drejtësie, puna ime është shumë e qartë dhe shumë shpejt dhe mirë dhe pa asnjë shibël do të del në pah dhe falë Zotit kjo shkëndijë u vërtetu dhe u tregu se në këtë pallat ka drejtësi dhe sigurisht se për mua vendimi vetëm kështu ka qenë i pritshëm”, tha Krasniqi.

Në fund Krasniqi falënderoi të gjitha mediat për punën e tyre.

“Faleminderit për të gjithë, edhe për juve faleminderit për përkrahjen dhe përcjelljen, pavarësisht të disa lakimeve të tjera herë-herë, por megjithatë falë ju qoftë të gjithëve”, tha Krasniqi.

Lidhur me vendimin u deklarua edhe avokati, Sevdali Zejnullahu që tha se akuza nga fillimi ka qenë e pambështetshme.

“Pas afër katër viteve të një procesi lidhur me të mbrojturin tim, sot u mor një vendim me të cilin doli në pah e vërteta, e vërteta e cila se akuzat ishin të pabaza, të pambështetshme dhe pa prova mbështetëse ashtu siç parashihet me ligj. Klienti im është i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës”, tha Zejnullahu.