Imami Shefqet Krasniqi para trupit gjykues - Foto: KALLXO.com

Fjala Përfundimtare në Gjykimin e Shefqet Krasniqit

Sot në gjykimin e Shefqet Krasniqit do të jepet fjala përfundimtare e palëve.

Fjalën përfundimtare do ta paraqesë prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj, mbrojtja e Shefqet Krasniqit, por edhe vetë Krasniqi.

Krasniqi, ish-imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar dy dëshmitarë, janë konsideruar si të lexuara deklaratat e dy dëshmitareve tjera ndërsa ndër të tjera janë administruar si prova edhe tri përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe dy ligjërata të Krasniqit.

Në aktakuzë pretendohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej  20,208.57 euro.

Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi që është deklaruar i pafajshëm.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rrjedhën e hetimit ndaj Shefqet Krasniqit ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.