Objekti i gjykatës në Pejë | Foto: KALLXO.com

Fjala Përfundimtare në Betejën e ish-Çiftit për Shtëpinë

Avokatët e Zyrafete dhe Hasan Huskajt gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në Gjykatën e Pejës u munduan të argumentojnë kontributin e të mbrojturve të tyre në ndërtimin e shtëpisë në Lubeniq të Pejës.

Në këtë proces gjyqësor Zyrafete Huskaj po kërkon nga gjykata që t’i njihet kontributi në krijimin e pasurisë së përbashkët me ish-burrin e saj Hasan Huskaj.

Avokati i Zyrafete Huskajt, Faruk Binakaj, tha se duke iu referuar provave dhe dëshmitarëve argumentohet se Zyrafetja ka kontribuuar në ndërtimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të saj në fshatin Lubeniq.

“Nga viti 1994 e gjer në ndarjen definitive të tyre në vitit 2012 vërtetohet që të njëjtit kanë kontribuuar në shtimin e pasurisë,” tha avokati i Zyrafete Huskajt.

Ai i propozoi gjykatës që të vendosë t’ia japë gjysmën e pasurisë së ish-çiftit në Lubeniq, të mbrojturës së tij.

“I propozoj gjykatës që padinë dhe kërkesën e saj ta aprovojë në tërësi në bazë të kontributit lidhur me shtëpinë, garazhdën, shupën dhe oborrin në Lubeniq [ta ndajë]në pjesë ideale nga  1/2 ,” tha Binakaj.

Me fjalën përfundimtare të avokatit të saj u pajtua edhe Zyrafete Huskaj para trupit gjykues.

Por Agim Shala, avokati i Hasan Huskajt, duke e konsideruar të pabazuar padinë e Zyrafete Huskajt, tha se nuk ka asnjë provë që argumenton së Zyrafete Huskaj ka kontribuuar në ndërtimin e shtëpisë.

Shala tha se dyshon për njëanshmëri të trupit gjykues, pas vendimit të gjykatës për masë sigurie ndaj shtëpisë në Lubeniq derisa për të të vendosë gjykata.

Shala tha se shtëpia në fshatin Lubeniq është ndërtuar para vitit 1994 dhe meremetimi i saj është bërë pas ndarjes së Zyrfetes dhe Hasanit.

Shala tha se martesa e Zyrafetes me Hasan Huskajn zjati vetëm pesë vjet.

“Paditësja(Zyrafetja) me të paditurin (Hasanin) kanë lidhur martesë para organit kompetent në Norvegji në vitin 1999, e cila martesë është  prishur me vendimin e gjykatës kompetente të njëjtit shtet në vitit 2004,” tha avokati Agim Shala.

Ai deklaroi se Hasan Huskaj i ka dhënë banesë në Norvegji Zyrafetes pas prishjes së bashkëjetese familjare në fund të vitit 2003, sipas tij për hir të fëmijëve të përbashkët.

Me fjalët e avokatit Gashi u pajtua edhe Hasan Huskaj, ndërsa gjatë seancës u bë edhe leximi i provave materiale.

KALLXO.com vazhdimisht ka ndjekur rrjedhën e këtij procesi gjyqësor.