Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Fituan mbi 80,000 Vota e Nuk Janë në Listën e PDK-AAK-Nisma

Disa prej këtyre figurave politike nuk do të jenë në listën e koalicionit për shkak të aktakuzave të ngritura kundër tyre, disa të tjerë për shkak se janë tërhequr nga gara e disa të tjerë për shkak se kanë ndërruar formacionet politike.

Në listë nuk do të jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili ndonëse nuk ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet e vitit 2014, kishte marrë një numër të madh të votave.

Agani, i cili drejton Partinë e Drejtësisë, parti që sërish është në koalicion me PDK-në, ka konfirmuar se nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, që do të zgjidhen në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, Ferid Agani, kishte fituar 9,008 vota.

Kundër ish-ministrit Agani është ngritur aktakuzë në rastin e njohur si “Stenta”.

http://kallxo.com/aktakuza-shtyn-aganin-te-mos-garoje-per-deputet/

Sipas burimeve të KALLXO.com brenda Partisë Demokratike të Kosovës, as deputeti i kësaj legjislature, Shukri Buja, nuk do të jetë në listën e kandidatëve të garës së 11 qershorit.

Ndaj Bujës ka një aktakuzë për keqpërdorim detyre gjatë kohës sa ishte kryetar i Komunës së Lipjanit. Prokuroria pretendon se Buja kishte nënshkruar marrëveshje me një kompani, të cilës ia kishte dhënë në shfrytëzim një ndërtesë laboratori për vetëm 1 euro në muaj qiranë.

Sipas Prokurorisë marrëveshja ishte nënshkruar për një afat 10 vjeçar.

Prokuroria pretendon se këtu është dëmtuar Komuna e Lipjanit. Megjithatë Buja ishte deklaruar i pafajshëm.

http://kallxo.com/shukri-buja-deklarohet-pafajshem/

Buja gjithashtu ishte dënuar me 4 muaj burg me kusht dhe 2 mijë euro gjobë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

E në zgjedhjet e fundit të 2014 Buja kishte fituar 8,224 vota.

Ai nuk e kishte arritur pragun e brendshëm të PDK-së për deputet, por mandatin e kishte marrë vitin e kaluar, kur ish-deputeti Azem Syla kishte dhënë dorëheqje për shkak të aktakuzës për krim të organizuar.

Syla ishte arrestuar në prill të vitit të kaluar nga EULEX. Ai tani është në paraburgim.
Ai në zgjedhjet e 2014 kishte marrë 11,146 vota.

http://kallxo.com/azem-syla-deklarohet-i-pafajshem/

Mospjesëmarrjen në garën për deputet e ka konfirmuar për mediat edhe ish-deputeti i PDK-së, Latif Gashi, i cili në zgjedhjet e 2014 kishte pasur 12,352 vota.

Ai në mandatin e kaluar e kishte dorëzuar postin e deputetit për shkak të vërtetimit të dënimit nga Gjykata e Apelit.

Partia Demokratike ende nuk e ka bërë publike listën me emrat e deputetëve që do bëjnë garë për të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com ka provuar që të kontaktojë me ish-deputetin Gashi, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Një deputete tjetër që PDK-ja nuk do ta ketë më në listë është edhe Labinotë Demi-Murtezi, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte njëra prej deputetëve më të votuara.

Ajo kishte fituar 14,232 vota dhe kishte garuar si kandidate e Partisë së Drejtësisë në listën e përbashkët me PDK-në.

Ajo së fundi ka dhënë dorëheqje nga partia e Ferid Aganit duke u anëtarësuar në Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit.

http://kallxo.com/labinote-demi-murtezi-largohet-nga-partia-e-drejtesise/

Një deputet tjetër që hyri në Kuvend nga lista e PDK-së dhe PD-së ishte edhe Gëzim Kelmendi, i cili në mes të mandatit u largua nga grupi parlamentarë i PDK-së, duke kaluar si deputet i pavarur.

Ai në zgjedhjet e vitit 2014 kishte pasur 10,041 vota.

Ai ka regjistruar partinë e tij të re FJALA dhe ka vendosur që të garojë i vetëm në zgjedhjet parlamentare.

Një kandidat tjetër që nuk u ul asnjëherë mandatin e kaluar në Kuvend por që i solli mjaftueshëm vota Nismës për Kosovë ishte ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili kishte mbledhur plot 18,613 vota.

Ai menjëherë ia kishte liruar vendin deputetit tjetër, Enver Hoti.

Ai nuk do të jetë pjesë e listës së koalicionit PDK-AAK-NISMA. Vendin e tij do e zërë, Milaim Zeka, i cili sapo ka aderuar në Nismë.

Në total, Ferid Agani, Shukri Buja, Azem Syla, Latif Gashi, Labinotë Demi-Murtezi, Gëzim Kelmendi dhe Jakup Krasniqi kanë pasur 83,616 vota.