Bernard- Henri Levy gjatë diskutimit në festivalin Beldocs në Beograd. Foto: Beta/Beldocs

Filozofi Francez Fajëson ‘Fashistët’ Serbë për Sulmin me Tortë

Ai tha se incidenti në Beograd, ku u godit në fytyrë me një tortë, ishte një pamje e “presioneve, ofendimeve dhe kërcënimeve” me të cilat demokratët në Serbi ndeshen çdo ditë.

“Ju, miqtë serbë, ende jetoni nën një regjim që mund të quhet ‘demokraturë’, që përdor zgjedhjet dhe formën e demokracisë për të shtypur shoqërinë civile dhe për të frenuar liritë”, tha Levy në një konferencë për shtyp të enjten.

Levy u godit me tortë të mërkurën në festivalin e filmit dokumentar, Beldocs. Sulmuesi i tij ishte anëtar i Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë, SKOJ, motivi i të cilit ishte mbështetja e Levy-t për shqiptarët e Kosovës dhe për bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.

Pas hedhjes së tortës, aktivistët e SKOJ-së zbuluan një flamur që lexonte “Bernard Levy përkrah vrasjet imperialiste”.

Levy pothuajse hyri në grindje të mëtejshme me një sulmues, përpara se aktivistët ta largonin nga salla.

Mediat në Serbi kanë shkruar se Levy kishte mbështetur ndërhyrjen ushtarake perëndimore kundër Serbisë në vitet 1990, me tabloidin Kurir që pyeste nëse Levy e kishte organizuar sulmin ndaj vetes.

“Një incident i njëjtë ndodhi 23 vjet më parë në Kanë, duke lënë dyshim se filozofi po bën sulme vetëm për t’i bërë serbët të duken të këqij”, deklaroi tabloidi.

 

Në konferencën për shtyp Levy tha se kurrë nuk e kishte mbështetur bombardimin e Serbisë, por vetëm rrëzimin e njeriut të fortë të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Në llogarinë e tij në Twitter ai fajësoi “fashistët, nostalgjikë për Millosheviqin” për incidentin.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj gjithashtu reagoi në Twitter duke e quajtur sulmin “anti-europian”.

Para nisjes për në Francë sonte, Levy tha se ishte “krenar dhe i lumtur” që ishte bërë pjesë e festivalit Beldocs, drejtori i të cilit, Mlladen Vusuroviq, i kërkoi falje për incidentin.

Levy ishte në Beograd për të promovuar filmin e tij të fundit “Peshmerga”.