Filmi i BIRN-it mbi Masakrat Ndaj Shqiptarëve në Pejë, u Shfaq në DokuFest

Në ekranet e dy kinemave në Prizren, të mërkurën dhe të enjten, është shfaqur filmi “Të Paidentifikuarit” në të cilin dokumentohen urdhërdhënësit dhe zbatuesit e krimeve ndaj shqiptarëve në disa vendbanime në rajonin e Pejës gjatë pranverës së vitit 1999.

Ky film i prodhuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) i kthen shikuesit pas në vitin 1999, në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq pranë Pejës në Kosovë, ku luftëtarët serbë vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën ose u zhvendosën dhe disa prej tyre më vonë u gjetën në varre masive në qendrën stërvitore policore në Batajnicë, pranë Beogradit, në vitin 2011.

Regjisorja e filmit Marija Ristiq, e cila në rolin e gazetares e ka përcjellë tërë procesin gjyqësor ndaj grupit të akuzuar për këto vrasje, gjatë debatit në Prizren pas shfaqjes së filmit, u shpreh se ata që janë intervistuar për këtë film, kanë marrë kërcënime.

“Ata që kanë folur kanë marrë kërcënime të ndryshme. Në Serbi është çështje e ndjeshme të flasësh për krimet e luftës”, tha Ristiq.

Ajo ka thënë se me këtë film nuk ka dashur “t’ua mbajë anën” shqiptarëve, por ka dokumentuar krimet të cilat kanë ndodhur dhe të cilat si të tilla “duhet të dënohen”.

Nëntë ish anëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave u shpallën fajtorë në shkurt të vitit 2014 për vrasjen e mbi 100 civilëve shqiptarë në prill dhe maj të vitit 1999, gjatë sulmeve në katër fshatra në Kosovë – Lybeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaç, por vendimi u anulua në mars të këtij viti nga Gjykata e Apelit nw Serbi dhe rasti u dwrgua pwr rigjykim.

Filmi 40 minutësh është në garë në kategorinë Balkan Dox, ndërsa është shfaqur në kinematë “Kino në Lum” dhe “Kino Klubi”.

Ky film përmend disa prej oficerëve serbë që urdhëruan sulmet në fshatrat e Kosovës rreth qytetit të Pejës në vitin 1999 dhe ata që janë të përfshirë në operacionin për të fshehur trupat e viktimave.

Përveç pjesëmarrjes në DokuFest, filmi pritet të marrë pjesë edhe në një festival në Sarajevë.