Nemanja Babiç merr çmimin në Festivalin e Filmit të Evropës Juglindore. Foto: Facebook/SEEFest.

Filmi i BIRN për Luftën në Kosovë Merr Çmim të Parë në Amerikë

Të Paidentifikuarit, i cili nxjerr emrat e zyrtarëve serbë që urdhëruan sulme në fshatrat e Kosovës rreth qytetit të Pejës në 1999 dhe ata të përfshirë në operacionin për fshehjen e trupave të viktimave, mori çmimin si dokumentari më i mirë me metrazh të shkurtës në Festivalin e Filmit për Europën Juglindore në Los Anxheles ditën e enjte.

Nemaja Babiç, regjisori i filmit, tha për publikun në Teatrin e Arteve të Bukura në Beverli Hills se puna për filmin vazhdoi për dy vjet me radhë dhe se ekipi realizues i filmit punoi shumë për të bindur njerëzit e përfshirë, si autorët ashtu edhe viktimat, të jepnin intervista për dokumentarin.

“Na u deshën muaj për të bindur shumë njerëz të shfaqeshin në këtë dokumentar. Disa nga dëshmitarët fillimisht pranuan dhe më pas ndërronin mendje sapo shtypnin “luaj” në kamera,” tha Babiç.

“Kjo e zgjati edhe më shumë të gjithë procesin e xhirimit, por në fund e gjithë ajo punë ia vlejti dhe ky çmim gjithashtu na frymëzon të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje,” shtoi ai.

Të Paidentifikuarit i kthen shikuesit pas në vitin 1999, në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq pranë Pejës në Kosovë, ku luftëtarët serbë vramë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën ose u larguan dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në Serbi në vitin 2001.

Gjyqi i 11 autorëve që dyshohen se janë të përfshirë në vrasjet – 10 prej të cilëve të akuzuar si autorë të drejtpërdrejtë – vazhdon ende në Beograd.

Në shkurt 2014, nëntë prej tyre u dënuan me një total prej 106 vitesh burg, por gjykata e apelit në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor” dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Filmi pati premierën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit të Sarajevës vitin e shkuar dhe është shfaqur në disa festivale dhe institucione të tjera në Paris, Nju Jork, Uashington, Zagreb, Beograd, Prizren, Prishtinë, Tiranë, Maribor dhe Los Anxheles.

Të Paidentifikuarit do të shfaqet gjithashtu për herë të parë në Beograd më 14 maj këtë vit në festivalin BELDOCS të këtij viti.