Ish-zyrtarët e Sigurimit të Shtetit Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq. Foto: MICT.

Fillon Rigjykimi i Ish-Kreut të Sigurimit Serb të Shtetit

Rigjykimi i Jovica Stanishiq, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe ndihmësi i tij Franko Simatoviq, i njohur gjithashtu si Frenki, do të fillojë të martën në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Stanishiq dhe Simatoviq akuzohen për krime kundër kroatëve dhe boshnjakëve gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 1991 deri në 1995.

Ata akuzohen për persekutim për arsye racore, fetare dhe politike, vrasje, dëbime dhe zhvendosjen me forcë të civilëve kroatë dhe boshnjakë.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Sipas akuzave, Simatoviq dhe Stanishiq morën pjesë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të territorit të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat më pas do të përfshiheshin në një shtet të unifikuar serb.

Prokurorët pohojnë se Stanishiq dhe Simatoviq ngritën, pajisën, trajnuan, financuan dhe armatosën anëtarë të Beretave të Kuqe dhe grupeve të tjera paraushtarake, të cilët më pas kryen krime nën kontrollin e tyre kur u dërguan për të luftuar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Vendimi i anuluar vendosi se grupet paraushtarake që lëvizën Stanishiq dhe Simatoviq kryen një sërë krimesh, por të pandehurit nuk “i kontrollonin” ata gjatë këtyre operacioneve, edhe pse ata “organizuan” pjesëmarrjen e tyre në luftëra.

Ai tha se ekzistonte një “mundësi e arsyeshme” që duke i lëvizur Beretat e Kuqe jashtë Serbisë, Stanishiq dhe Simatoviq kishin “një qëllim të kufizuar për të krijuar dhe mbajtur kontrollin serb mbi pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës,” por ata nuk ishin pjesëmarrës në një sipërmarrje e përbashkët kriminale.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare po merr përsipër çështje të papërfunduar nga Gjykata e Hagës, e cila do të mbyllet në fund të këtij viti.

Seanca e së martës do të hapet me paraqitjen e deklaratave hyrëse nga prokurori Douglas Stringer. Gjyqi do të kryesohet nga gjyqtari Burton Hall nga Bahamas.

Për shkak të gjendjes shëndetësore të Stanishiqit, seancat dëgjimore do të mbahen tri herë në javë. Secila prej tyre do të përbëhet nga dy seanca nga një orë e gjysmë me një pushim prej dy orësh midis tyre.

Mjekët në Hagë dhe në Beograd kanë përcaktuar se Stanishiq vuan nga një sëmundje kronike në sistemin tretës dhe nga depresioni.

Problemet shëndetësore të Stanishiqit patën një ndikim të madh në rrjedhën e gjykimit të shkallës së parë. Pasi ai u sëmur, gjykimi u ndërpre për më shumë se një vit.

Më 30 maj, Stanishiq dhe Simatoviq u rikthyen nga Serbia në njësinë e paraburgimit në Hagë, pasi Gjykata i liroi ata përkohësisht në dhjetor 2015.