Ministri i MPMS-së, Skender Reçica - Foto: Facebook

Fillon Pagesa e Pensioneve për Tri Kategori të Reja

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se ka proceduar sot pagesat e pensioneve për tri kategoritë përfituese në skemën pensionale:  Pensionet për paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica është angazhuar maksimalisht për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që këto kategori t’i gëzojnë të drejtat e tyre të përcaktuara me ligj.

Megjithëse ekziston në fuqi legjislacioni i cili përcakton të drejtat për përfitim të pensionit për këto tri skema pensionale, të drejtat e tyre nuk kanë qenë duke u zbatuar deri më tani.

“Këto tri kategori do të marrin pensionet që u takojnë ku përveç pagesave të rregullta mujore, gjithashtu, për çdo muaj në llogaritë e tyre do të dalë edhe nga një pension për të gjitha rastet e paraqitura dhe të aprovuara deri më tani”, thuhet në njoftimin e MPMS-së.