Fillon Aplikimi i Kodit të Kosovës +383

Drejtori i Telekomit  të Kosovës, Agron Mustafa demonstroi sot se thirrjet nga numrat e Operatorit Telefonik Vala mund të realizohen duke përdorur kodin e ri telefonik +383.

Marrëveshja për Telekomunikacion e arritur në Dialogun Kosovë-Serbi rezultoi me ndarjen e kodit shtetëror të Kosovës më 15 dhjetor 2016.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri  si dhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), kishin paralajmëruar se përdorimi i këtij kodi do të fillojë menjëherë pas zyrtarizimit.

“Pas diskutimeve me Autoritetin Rregullativ prej tyre kemi marrë autorizimin që më 27 janar ku na ka autorizuar neve dhe të gjithë operatorët e tjerë telefonik për fillimin e shfrytëzimit të kodit të ri telefonik”, tha Mustafa.

Sipas tij, faza përfundimtare e transferimit të gjithë numrave në kodin +383 do të zgjasë deri në 18 muaj.

Drejtori teknik i Telekomit, Mehdi Latifi që ka përfaqësuar telekomin në dialog me Serbinë tha se menjëherë kanë dërguar thirrje për zbatim të kodit nga operatorët ndërkombëtarë.

“Ne sot kemi bërë veprimin e parë dhe i kemi shkruar operatorëve ndërkombëtarë me të cilët kemi marrëdhënie kontraktuale dhe kemi bërë thirrje që edhe ata të hapin routat për numeracionin 383 drejt nesh”, tha Latifi.

Mustafa gjithashtu u zotua se deri në fund të vitit nuk do të ekzistojë më kodi pre fiks +381.

http://kallxo.com/kodi-383-pa-aplikueshem-ne-thirrjet-nderkombetare/