Përfundon Takimi i Thirrur nga Presidentja

Takimi i thirrur nga Presidentja Jahjaga sapo ka përfunduar. Pas liderit të AAK-së ka dalë edhe kreu i LDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, e pas tij edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Në një deklaratë për medie, kryeministri Mustafa tha se me liderët e partive të tjera në takimin e thirrur nga Presidentja Jahjaga kanë biseduar për tejkalimin e gjendjes në të cilën gjendet vendi. “Zhvilluam bisedë. Unë si kryeministër shpreha qëndrimin se kjo situatë duhet të tejkalohet dhe problemet tona duhet t’i zgjidhim në Kuvend përmes pjesëmarrjes së të gjitha partive politike”, tha Isa Mustafa.

Në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe, kryeministri Mustafa tha se është dhënë vendimi, se Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën.

Mustafa i ka bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend.

Ndërsa, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi tha se takimi ishte i nevojshëm për të dëgjuar opozitën.

“Partnerët e koalicionit edhe në takim te presidentja, në prani të z. Zhbogar dhe të ambasadorit Delawie, ripërsëritëm qëndrimin për vazhdimin e agjendës shtetërore. Qytetarët e Kosovës kanë shprehur vullnetin për sot dhe të ardhmen e tyre. Jemi të vendosur për reforma në ekonomi, legjislacion…”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.

“Për fat skena politike kosovare këto 25 vitet e fundit kemi pasur traditë të marrjes së përgjegjësive pavarësisht pozicioneve që kemi pasur… Ky përkushtim ka rezultuar me pavarësi. Kur është nisë dialogu, Aleanca ka marrë përgjegjësi  në këtë proces për normalizim në prill 2011”, tha më tej ministri i Jashtëm.

“Tash kemi të bëjmë me një realitet që nuk përkon me traditën tonë. Mund të kemi opinione të ndryshme. Kjo është demokracia. Kur vjen në pyetje interesi shtetëror duhet të marrim përgjegjësi, ose së paku mos ta lëndojnë procesin. Takimi ka qenë i nevojshëm. Keq që edhe pjesa tjetër e opozitës nuk ka qenë”, ka theksuar më tej Thaçi.

Sipas tij, gjatë takimit, Ramush Haradinaj nuk e ka shprehur shqetësimin e tij për Asociacionin dhe demarkacionin. “E meqë kjo nuk ishte shqetësim, kemi propozuar që Aleanca të marrë pjesë në Komisionin për shkruarjen e statutit për Asociacionin dhe në tjetrin për demarkacionin, që do të themelohet nga Presidentja”, theksoi lideri i PDK-së.

Ndërsa, nikoqirja e këtij takimi, Presidentja Atifete Jahjaga, nuk është deklaruar për mediet.

Kryetari i AAK-së sapo ka dalë nga takimi i thirrur nga Presidentja Jahjaga. Liderët e partive të tjera vazhdojnë të jenë në presidencë.

“Shpreha ketë shqetësime: situatën e rëndë politike, politizimin e shtetit të kapur, ndikimin dhe politizimin në gjyqësor… Në planin e jashtëm e konsiderova dështimin në njohje… Kërkova të shpërndahet Parlamenti dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Po ashtu, kërkova që presidenti të zgjidhet me votën e drejtpërdrejt”, ka thënë Ramush Haradinaj pas takimit.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë po ashtu se opozita do të mbetet e bashkuar. “Shihemi më 17 shkurt”, ka thënë shkurt ai, ndërkohë që nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët.

Ka filluar takimi i liderëve politikë të Kosovës, i thirrur nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kriza politike.

Në takim janë thirrur të gjithë liderët e partive politike që përfaqësohen në Kuvend, por dy liderët e partive opozitare, Visar Ymeri i Vetëvendosjes dhe Fatmir Limaj i NISMA-s, e kanë bojkotuar këtë takim.

Pjesë e takimit janë edhe diplomatë ndërkombëtarë përfshirë ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Në tavolinën e bisedimeve përveç Presidentes Jahjaga janë ulur edhe Hashim Thaçi (PDK), Isa Mustafa (LDK), Ramush Haradinaj (AAK), Slavko Simiq (Lista Serbe) dhe Mahir Jagxhilar (KDTP)

Pjesëmarrja e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në këtë takim, ka ngjallur dje reagime nga ana e Vetëvendosjes. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, e cilësoi vendimin e Haradinajt si “flirtim” me partitë në pushtet, ndërsa Haradinaj është shprehur se “vetëizolimi i liderëve opozitarë është izolim i kauzës së drejtë të opozitës”.

takimi1 takimi2 [interaction id=”56b88f900a2728b814292c0e”]