Pamje nga seanca e gjykimit të Hysen Sherifit, i akuzuar për vrasjen e Ismet Sfishtës - Foto: KALLXO.com

Filloi Gjykimi i të Akuzuarit për Vrasje të Mikut

Hysen Sherifi, i cili gjendet në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar, kur supozohet ta ketë kryer krimin, u deklarua i pafajshëm para trupit gjykues për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Në seancën e parë, ai tha se e pranon vetëm veprën e dytë që i vihet në barrë – mbajtje në pronësi në mënyrë të paautorizuar të armës.

Ndërsa, prokurori Ilaz Beqiri tha se Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Kurse, Mustaf Kastrati, avokat i të akuzuarit tha se gjatë shqyrtimit do të argumentojnë se aktakuza është e pabazuar në prova, është kundërthënëse, jo argumentuese dhe mungojnë provat për këtë cilësim, pasi që, sipas tij, aktakuza përmban vetëm parafrazim të aktakuzës ligjore.

“Shkresat e paraqitura në aktakuzë në raport me cilësimin e veprës janë të pabaza sepse cilësimi bazohet vetëm mbi indice të cilat nuk vërtetojnë asnjë fakt tjetër përveç dyshimit të bazuar mirë”, tha avokati Kastrati.

Avokati Kastrati tregoi se Gjykatës i ka dorëzuar kopjet e marrëveshjes dhe procesverbalit për pajtimin e familjeve si dhe marrëveshjen për kompensimin e dëmit për familjen e dëmtuar dhe se kompensimi është paguar.

Hysen Sherifi po akuzohet se me 16 shtator 2016 afër shtëpisë së tij në rr. “Hasan Ramadani”, në Podujevë, me dashje dhe për motive të ulëta edhe pse në atë çast nuk ka qenë I rrezikuar drejtpërdrejt e ka privuar nga jeta Ismet Sfishtën.

Sipas aktakuzës, Hyseni ka vepruar në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet këtyre dy familjeve dhe për shkak se djali i tij ishte shkurorëzuar nga vajza e tani të ndjerit Ismet Sfishta raportet e tyre kishin mbetur të acaruara.

“Ashtu që derisa Hyseni ishte kthyer nga qyteti i Podujevës pasi që i kishte hapur dyert e oborrit për të hyrë brenda me veturën e tij me t’u afruar pranë veturës se tij nga drejtimi i kundërt kishte ardhur edhe i ndjeri Ismeti me kamionetën e tij”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i ndjeri e kishte ndalë kamionetën dhe kishte bërë ndërrimin e shpejtësisë në automjetin e tij për të lëvizur mbrapa mirëpo në atë moment Hyseni nga vetura e tij e kishte marrë armën dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të tani të ndjerit Ismet Sfishta, me ç’rast një predhë e tejshkon parafangon dhe e godet në pjesën e epërme të gjoksit në qafë të ndjerin.

Në këtë shqyrtim ka dëshmuar Fatmir Sfishta, i biri i të ndjerit Ismetit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Fatmir Sfishta tregoi se si e njihte të akuzuarin, se motra e tij ka qenë e martuar me djalin e Hysenit, Nexhmedinin, për 6-7 vjet dhe kanë pasur edhe një djalë.

I pyetur se kur ka ndodhur shkurorëzimi mes motrës së tij dhe Nexhmedinit, dëshmitari tha se kjo ka ndodhur disa vite para rastit tragjik.

Sipas tij, problemi ishte se motra e tij nuk kishte kaluar mirë në atë familje dhe nuk ka mundur të vazhdojë më tepër, ndërsa ndarja është bërë nëpërmjet ndërmjetësuesve pa ndonjë marrëveshje.

I pyetur nga avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, se çfarë probleme ka pasur motra e tij gjatë martesës dhe gjatë qëndrimit në Gjermani, dëshmitari tha se mund të përgjigjet vetëm për ato çka ka dëgjuar nga motra, e cila ka thënë se ka pasur keqtrajtime nga burri i vet.

Kur avokati avokati Hoxha i kërkoir dëshmitarit ta përshkruante Ismet Sfishtën se çfarë njeriu kishte qenë, përgjigjja u vonua sepse dëshmitari u emocionua dhe u përlot, gjë qështyri trupin gjykues që të ndalë seancën për pak momente deri sa dëshmitari të qetësohej.

Ndërsa, avokati Kastrati e pyeti dëshmitarin se a kishte njohuri se motra e tij në Gjermani është ndarë me vendim gjyqësor dhe se fëmija me pëlqim të Valentinës i ka mbetur babait.

“Unë kam njohuri, por procedura është bërë pa pëlqimin e motrës sime”, tha dëshmitari Fatmir Sfishta.

Dëshmitarin avokati Mustafa e pyeti edhe nëse i punonte dikush nga familjarët në Policinë e Podujevës dhe se a e njihte një person me emrin Ramush.

Ndërsa ai u përgjigj duke thënë se e njihte një familjar me emrin Ramush, i cili më herët kishte punuar në Polici por që tanimë nuk kishte informata nëse punon ende.

Dëshmitarit i parashtroi pyetje edhe gjyqtari Fitim Krasniqi, i cili Fatmirin e pyeti se kur ai kishte shkuar në vend të ngjarjes a e kishte parë këtë personin Ramushin.

“Po ka qenë aty dhe Ramushi me ka marrë mua dhe me ka dërguar në shtëpi sepse mua më ka humbur vetëdija. Nuk e di a ka qenë në detyrë zyrtare sepse nuk ishte me uniformë dhe ka ardhur në vend të ngjarjes pas meje”, tha ai.

Seanca e radhës do të mbahet me 24 prill.

Redaktoi: Naser Sertolli