Filloi Festivali ‘Ditët e Muzikës Kosovare 2016’

Violinisti Florian Vlashi bëri mbrëmë hapjen e festivalit “Ditët e muzikës Kosovare” në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.

Ky festival organizohet për pesë net ndërsa repertoari përfshin vepra të kompozitorëve shqiptarë disa nga të cilat i janë kushtuar posaçërisht Nënës Terezë.

Vlashi tha se ky është koncerti i parë solo 100% me muzikë violonistike shqiptare dhe, sipas tij, si teknikë kjo ka përparuar shumë në shkollat shqipe.

“Kjo tregon se niveli i shkrimit muzikor të shkollës shqiptare ka arritur në perfeksione shumë të larta dhe kjo është arsyeja pse unë e zgjodha një program të tillë për të demonstruar që kjo teknikë tashmë nuk është ashtu si ka qenë, por ka ecur shumë kollaj”, tha violinisti Vlashi.

Ai kishte përzgjedhur vepra të ndryshme me karaktere të ndryshme për të treguar larminë e teknikave, si dhe kompozitorë nga Kosova e Shqipëria.

“Ideja ishte të ndaj gjymën e autorëve nga Kosova dhe gjysmën nga Shqipëria me idenë e Nënë Terezës që thoshte ‘të gjithë jemi engjuj në nji krah, të gjithë duhet të jemi të përqafuar që të fluturojmë’. Kjo ide me ka pëlqyer gjithmonë”, tha Vlashi.

Ndërsa kompozitori Zeqirja Ballata, e vlerësoi veprën e Vlashit duke e cilësuar çdo vepër të tij si të shkëlqyeshme ndërsa violinistin si të rrallë ndër shqiptarë.

“Floriani është violinist i shembullor dhe i rrallë në Shqipëri e në Kosovë. Është violinist me renome ndërkombëtare, çdo gjë që e luan ai është e shkëlqyeshme”, tha Ballata.

Festivali do të vazhdojë deri më 4 dhjetor dhe në netët në vazhdim do të jenë mbrëmjet Trio Celebre, Këngët Solo, Këngë Korale Pionerësh, si dhe në mbrëmjen përmbyllëse Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës.

Redaktoi: Përparim Isufi