Organizatorët e festivalit "Remusica" - Foto: KALLXO.com

Filarmonia Përmbyllë “Remusica”-n

Kori i Filarmonisë do të përformojë më 30 maj në kishën katolike “Shën Ndou”, kurse orkestra më 31 maj në Sallën e Kuqe të “Pallatit të Rinisë”.

Producenti i festivalit “Remusica”, Viktor Berisha, tha se është i lumtur që pas bashkëpunimit me “Dokufest”-in po bashkëpunojnë edhe me Filarmoninë e Kosovës.

“Sivjet kemi pasur edicionin e 15-të dhe kemi punuar mjaft shumë, prandaj jemi të kënaqur edhe me programin. Sigurisht për këtë u jemi falënderues të gjithë artistëve që kanë bashkëpunuar me ne”, tha ai.

Dirigjenti i korit Rafet Rudi tregoi se pjesa e korit do te jetë e ndarë në dy grupe: pjesa e parë do të sjellë vepra nga e kaluara jonë, kurse e dyta vepra që janë për kitarë dhe orkestër.

“Një moment mjaft i rëndësishëm për ansamblin tonë por edhe për kulturën tonë është interpretimi për herë të parë i Mario Castelnuevo-Tedescos që e kemi ditur që ekziston por që nuk është ekzekutuar deri tani”, tha ai.

Kitaristi Petrit Çeku, i cili do të përformojë së bashku me korin, tha se nesër do të jenë dy ngjarje të rëndësishme për të: përformimi së bashku me korin dhe ekzekutimi i veprës së Tedescos.

“Përmbajtja është e ngarkuar me emocione dhe është mjaft aktuale. Rrugëtimi dhe tragjeditë që kanë ndodhur gjatë detit nuk ka se si të mos lidhen me aktualitetin dhe me atë që po ndodhë ne Siri”, tha ai.

Mbylljen zyrtare të këtij festivali do ta bëjë orkestra e Filarmonisë së Kosovës, e cila do të përformojë veprat e L.V. Bethovenit, Kushtrim Gashit dhe Arturo Marquezit.

Dirigjentja e orkestrës, Nathalie Marin, tha se e veçanta e kësaj nate është se do të jetë edhe premiera e veprës së kompozitorit Kushtrim Gashi.

“Premiera është e rëndësishme sepse bën promovimin e kompozitorit të ri kosovar dhe pastaj do të kthehemi mbrapa me Bethovenin, ku do të jetë edhe pianistja nga Shqipëria, Merita Rexha-Tershana, për ta përmbyllur me një pjesë latine shumë ritmike”, tha ajo.

Në kuadër të edicionit të 15-të “Remusica” ka bashkëpunuar me festivalin “Dokufest”, ku janë shfaqur filma pa zë, të cilët janë shoqëruar me muzikë.

Festivali “Remusica” ka filluar më 6 maj, ku kanë përformuar Ermir Abeshi në violinë dhe Merita Rexha-Tershana në piano.