Fëmijët e Prishtinës Mësojnë për Lojërat e Gjyshërve

Pleqtë i rikthyen në praktikë ndërsa fëmijët mësuan sot se si paraardhësit e tyre argëtoheshin në kohërat kur të parëve u mungonin videolojërat e interneti për ta kaluar kohën e lirë.

Loja më tërheqje, gura-peshk, gjuxhas, kullas, Kliqka, bëz-bëz, pit-pitak(me shtaga), turraz, sorra, cic- mic (dëgërrxhik), fshehurazi (symbylltazi) dhe loja me guralec janë lojërat të cilat fëmijët sot mësuan për to dhe i zhvilluan së bashku në mjediset e Muzeut të Kosovës.

Të vegjlit të cilët vizituan sot Lapidariumin e Muzeut të Kosovës patën mundësin që të luanin lojëra të vjetra tradicionale të gjyshërve të tyre.

Të shoqëruar nga gjyshërit dhe prindërit, fëmijët patën mundësinë që të mësojnë më shumë për “Lojërat e gjyshërve tanë” aktivitet që u organizua në kudër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj tha se aktiviteti “Trashëgimia dhe Sporti” i risjell lojërat e vjetra tek gjeneratat e reja.

“Së bashku sivjet me vitin e Lojërave Olimpike përpos që do t’i kujtojmë lojërat e gjyshërve tanë, ju ftoj që së bashku t’u dedikojmë këtë aktivitet olimpistëve dhe sportistëve tanë që kanë me marr pjesë në lojërat olimpike këtë vit”, tha ai.

Drejtoresha e shkollës fillore “Xhemail Mustafa”, Shpresa Shala tregoi se ky është aktiviteti i tretë që kjo shkollë organizon së bashku me Muzeun e Kosovës.

“Këto aktivitete janë të mirëseardhura për nxënës gjithashtu i inkurajoj prindërit që këto lojëra që sot i bëjnë këtu më fëmijët të vazhdojnë t’i bëjnë edhe në shtëpi dhe në lagje”, tha ajo.

Shefki Maqastena i cili ka sjell nipin e tij Ronin që është në klasën e parë tha se këto lojëra po i kujtojnë fëmijërinë e tij.

“Kur kam qenë i vogël dhe kemi luajtur edhe ne me ato e tash pak ma pak po luajnë këta fëmijët e sotëm ato lojërat e përparshme që kemi luajtur që po më përkujtohen sot kur po i shoh këto lojëra. Është interesante për këta fëmijët se po kanë dëshirë me i luajtur dhe po kënaqen këta edhe ne si gjyshër”, tha ai për KALLXO.com

Fëmijët patën mundësinë që përveç që të mësojnë për lojërat dhe t’i zhvillojnë ato të dëgjojnë edhe meloditë e krijuara nga gajdja të cilës i binte gajdexhiu Shaqir Hoti.

Anda Nishevci  e cila kishte ardhur së bashku me gjyshin e saj tha kishte dëgjuar për këtë aktivitet nga tezja e saj dhe se po i pëlqejnë të gjitha lojërat.

Ndryshe nga ajo, Anda Xhikolli dhe Naron Shema  thanë se loja cic-mic u ka pëlqyer më së shumti kurse Adea Berisha tha se i ka pëlqyer më së shumti loja më arra (turraz).

Duke bërë gara më njëri tjetrin e duke tërhequr litarët, duke luajtur më gurë dhe duke vrapuar fëmijët të lodhur u ulën në sofrat të cilat ishin shtruar posaçërisht për ta.

Ata të etur dhe të uritur patën mundësinë që të hanin fli dhe mantia, dy ushqimet tradicionale dhe të pinë ujë e lëngje në sofra tradicionale, njësoj siç kishin bërë edhe të parët e tyre.