’Fëmijët e Pavarësisë’, Vrapojnë për Ditën Olimpike

Qindra fëmijë vrapuan sot në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, për nder të  Ditës Ndërkombëtare Olimpike.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar një garë vrapimi për fëmijët e lindur në vitin 2008 nga shkollat  e Komunës së Prishtinës.

Këta fëmijë përveç vrapimit performuan edhe me numra atletikë dhe akrobacione.

Besim Hasani, Kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës shpjegoi shënimin e kësaj dite duke e ndërlidhur me vitin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës .

“Këtu janë vetëm fëmijë të lindur në vitin 2008 në vitin kur Kosova është shpallur e pavarur. Prandaj , për nder të Pavarësisë së Republikës së Kosovës i kemi ndërlidhur këto dy data. Këta fëmijë do të vrapojnë tërë jetën e tyre”, tha Hasani.

Në garë morën pjesë vajza dhe djem të cilët vrapuan ndaras të cilëve më pastaj u dhanë certifikata nga Komiteti Olimpik.

Megjithëse dita olimpike shënohet me datën 23 qershor, organizatorët thanë se vendosën ta shënonin me 27 maj për ta ndërlidhur edhe me përvjetorin e themelimit të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Këtë vit bëhen 122 vite nga mbajtja e lojërave të para moderne  olimpike në Athinë të Greqisë ku kishin drejtë të marrin pjesë vetëm 13 shtete.