Foto: Kallxo.com

Favorizimi i Kompanive Vendore për Ndërtimin e Pishinës Olimpike

Komuna e Prizrenit ka planifikuar të ndërtojë një pishinë olimpike prej 5 mijë metrave katrorë, por kjo procedurë është zvarritur që nga muaji korrik i vitit 2017.

E njëjta mund të ndërtohet edhe nga kompani që nuk kanë ndërtuar asnjëherë pishina olimpike, pasi komuna ka kërkuar vetëm referenca për ndërtimin e pishinave private nga kompanitë vendore.

Te kushtet e përshtatshmërisë profesionale Komuna e Prizrenit nga operatorët ekonomikë konkurrues nuk ka kërkuar që të sjellin projekte të pishinave olimpike të cilat i kanë ndërtuar ata ndër vite, për shkak se në Kosovë nuk ka pishina olimpike. Por, Komuna e Prizrenit ka kërkuar projekte të ngjashme me pishinat olimpike ku bëjnë pjesë edhe ndërtimi i pishinave private.

“Projekte të natyrës së kontratës janë projektet në të cilat përfshihen pishina edhe pse jo të kategorisë olimpike. Pra edhe komplekset turistike ku ka edhe pishina”, thuhet në një sqarim që Komuna e Prizrenit ia ka dhënë njërit prej operatorëve ekonomikë që ka kërkuar sqarime pas publikimit të “njoftimit për kontratë”, pra me rastin e inicimit të tenderit.

Dimensionet e pishinës olimpike të cilat i pranon Federata Botërore e Notit janë 50 metra gjatësi me plus – minus 3 cm, gjerësia e pishinës mund të jetë 21 metra ose 25 metra dhe thellësia prej 1.8 metra deri 2.2 metra.

Nëse pishina olimpike e ndërtuar në Prizren nuk do t’i plotësonte kushtet e përcaktuara nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Notit, atëherë nuk do të ishte e mundur që në të ardhmen aty të mbahej ndonjë garë ndërkombëtare e notit.

Astrit Haliti, sekretari gjeneral i Federatës së Notit të Kosovës ka thënë për ‘Gazetën JnK’ se do të ishte mirë nëse do të merrej edhe mendimi i federatës për ndërtimin e kësaj pishine olimpike, pasi tërë investimi mund të shkojë huq.

“Mirë do të ishte po të merrej edhe mendimin e federatës për shkak se federata është ajo që merret me notin në Kosovë edhe sigurisht që pishina mundet me qenë me ndonjë defekt të vogël si shumë pishina që janë lënë prej njerëzve privatë, për shembull që nuk kanë ardhur me u konsultu edhe tash nuk i plotësojnë kushtet për nuanca të vogla për aktivitete të federatës. Unë po shpresoj dhe besoj që kjo pishinë nuk do të jetë pishinë që nuk do t’i plotësojë kushtet”, ka potencuar Haliti.

Telashet me tenderin

Me 27 nëntor në faqen e prokurimit publik është publikuar ‘njoftimi për dhënie të kontratës’ ku operatori ekonomik fitues ndër 11 operatorët ekonomikë konkurrues ishte “NPN Çlirimi” me të cilin parashihej të bëhej nënshkrimi i kontratës më 4 dhjetor 2017. Edhe kompania “NPN Çlirimi” e shpallur fituese nga AK – Komuna e Prizrenit në ofertën e tyre ka bashkëngjitur referencat e ndërtimit të pishinave private, siç ishte kërkuar në dosjen e tenderit.

“Te ne kryesisht këto pishina që janë ndërtuar janë pishina private, edhe njerëzit të cilët i kanë punuar pishinat në aspektin komercial, për përfitime të veta, për nevoja të veta, se kur të bëhet pishina me dimensione olimpike sigurisht që është e drejtë që të paktën me u konsultu nëse ka dyshime që pishina nuk i plotëson kushtet”, ka theksuar Astrit Haliti, nga Federata e Notit të Kosovës.

‘Njoftimi për kontratë’ për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren” është publikuar në faqen e prokurimit publik me 24 korrik 2017 me vlerën e planifikuar pre 4 milionë euro.

Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar me 2 tetor 2017 në faqen e ‘e-prokurimit’, kurse kontrata ishte planifikuar të nënshkruhej me 9 tetor 2017 me kompaninë “NPN Çlirimi”, e cila kishte ofruar çmimin më të ulët të përgjegjshëm nga ofertuesit me vlerë prej 2.5 milionë euro.

Njëri nga 11 operatorët ofertues, operatori ekonomik “Kag Asphalt” & “Powatec Gmbh” me 9 tetor ka parashtruar ankesë në OSHP. Kjo përveç eliminimin e tyre nga ky aktivitet i prokurimit, pretendon se operatori ekonomik fitues “Çlirimi” nuk ka ofruar dëshmi të transaksioneve bankare për ndërtimin e dy pishinave private të Sejdi Rexhajt duke pretenduar se Komuna e Prizrenit kanë bërë shkelje të disa neneve të Ligjit për Prokurim Publik.

Eksperti shqyrtues, bazuar në konstatimet e cekura në raport, mendon që Komuna e Prizrenit për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren” nuk i ka respektuar në tërësi dispozitat e LPP-së. Prandaj eksperti shqyrtues i ka propozuar panelit shqyrtues që ta anulojë vendimin e AK – Komuna e Prizrenit për dhënie te kontratës, ndërsa ankesën e operatorit ankues (“KAG ASPHALT COMPANY” sh.p.k & “POWATEC GMBH”) ta aprovojë si pjesërisht të bazuar dhe njëherësh ka propozuar që ky aktivitet i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

Me 13 nëntor paneli shqyrtues i OSHP-së me përbërjen nga Goran Milenkoviq, Nuhi Paçarizi dhe Blerim Dina kanë vendosur që të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës nga Komuna e Prizrenit për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren” dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës ka konstatuar se autoriteti kontraktues është i obliguar që në pajtim me nenin 72 të LPP-së, lidhur me pretendimin e operatorit ankues duhet të kërkohen sqarime shtesë dhe të vërtetohet kontrata e lidhur ndërmjet operatorit ekonomik “Çlirimi” dhe personit privat Sejdi Rexhaj me titull ndërtimi i pishinës e cila është e përbërë nga dy pishina për të rritur dhe fëmijë me vlerë prej rreth 2 milionë euro.

Ankesa e dytë

“Paneli shqyrtues erdhi në përfundim se ky aktivitet i prokurimit duhet të kthehet në rivlerësim dhe gjatë rivlerësimit obligohet autoriteti kontraktues të kërkojë sqarime shtesë sipas nenit 59.2 dhe 72 të LPP-së, në lidhje me kontratën e lartpërmendur, pasi që vetë përfaqësuesi i operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë- ‘Çlirimi’ në seancën dëgjimore pohoi se kanë transaksione (dëshmi) bankare në lidhje me këtë projekt. Prandaj kjo çështje duhet të sqarohet dhe të vërtetohet nga autoriteti kontraktues”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së.

Më 22 nëntor 2017, autoriteti kontraktues – Komuna e Prizrenit në faqen e prokurimit publik ka publikuar njoftim për anulimin e dhënies së kontratës me arsyetimin “një urdhër i lëshuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit kërkon anulimin për dhënie të kontratës. Ri-vlerësim i aktivitetit të prokurimit”, thuhet në njoftimin për anulimin e dhënies së kontratës.

Pas rivlerësimit, komuna e Prizrenit nuk e ka ndërruar vendimin e parë, pra sërish e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Çeliku”.

Por operatori ekonomik “KAG ASPHALT COMPANY” sh.p.k & “POWATEC GMBH” me 5 dhjetor parashtroi ankesë në OSHP për eliminimin e tyre nga AK – Komuna e Prizrenit nga aktiviteti i prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren”. Më 12 dhjetor 2017 edhe operatori ekonomik “Rafii sh.p.k” ka parashtruar ankesë në OSHP duke pretenduar se nuk janë njoftuar me shkrim nga Komuna e Prizrenit për eliminimin e tyre nga ky aktivitet.

Në OSHP me 10 janar është publikuar edhe mendimi i ekspertit shqyrtues në lidhje me ankesat e parashtruara nga operatorët ekonomikë “KAG ASPHALT COMPANY” sh.p.k & “POWATEC GMBH” dhe  “Rafii sh.p.k” të eliminuar nga AK – Komuna e Prizrenit nga aktiviteti i prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren”.

Eksperti shqyrtues bazuar në konstatimet e cekura në ekspertizë mendon që Komuna e Prizrenit për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren” i ka respektuar dispozitat e LPP-së.

“Prandaj eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ta aprovojë vendimin e AK-së për dhënie të kontratës, ndërsa ankesat e OE-ve ankues t’i aprovojë si pjesërisht të bazuara”, thuhet në mendimin e ekspertit shqyrtues.

Në ditët në vazhdim do të mbahet seanca dhe do të merret vendimi i panelit shqyrtues të OSHP-së për këtë aktivitet të prokurimit.

Astrit Haliti, nga Federata e Notit të Kosovës thotë se Prishtina është qyteti që ka më së shumti nevojë për një pishinë olimpike.

“Po më vjen mirë që të paktën ju ka ra ndër mend shtetit që më në fund me investu në një pishinë pa marrë parasysh që është në Prizren. e unë po them që Prishtina është qyteti që e ka nevojën më të madhe me e pasë një pishinë të mbyllur me dimensione olimpike”, ka përfunduar Haliti.