Favoret e Ali Rexhës për Aleksandër Lumezin

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të shfaqur të premten në RTK, prokurori i Prokurorisë Speciale Ali Rexha, duke folur për miqësinë që ka me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, tregoi se e ka njoftuar atë për problemet në prokurorinë ku punon.

Rexha përmendi edhe favoret që tha t`ia ketë bërë kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, por nuk deshi ta bëjë publike se për çfarë favore bëhet fjalë.

“E di Leka, unë ia kam kry një punë atij, por njëherë përnjëherë le të mbetet me kaq, më shumë nuk mund të ju tregoj,” tha prokurori special Ali Rexha.

Për këto favore Rexha tha se do të flasë pas transmetimit të emisionit, duke bërë të ditur se e ka paralajmëruar Lumezin që do të dalë publikisht në media dhe të tregojë sipas tij për diskriminimin që i është bërë atij nga eprorët e Prokurorisë Speciale në trajnime dhe në ndarjen e lëndëve.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi nuk ka dashur të deklarohet lidhur me pretendimet e prokurorit Ali Rexha, përkundër kërkesës së ekipit të DnK-së për ta intervistuar atë.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, prokurori Ali Rexha tregoi se në Prokurorinë Speciale nuk ka pasur menaxhim të duhur nga ana e ish-eprores së tij, Sevdije Morina.

Sipas Rexhës, atij i janë dhënë lëndët më të vështira dhe më voluminozet në shenjë hakmarrjeje, pasi që thotë se ka reaguar në kolegjiumin e prokurorëve duke kërkuar që kolegët e tij të punojnë më shumë.

Rexha u ankua në emisionin “Drejtësia në Kosovë” edhe për diskriminim në raport me prokurorët tjerë, pasi tha se nuk është lejuar nga Sevdije Morina të marrë pjesë në trajnime jashtë vendit.

Rrëfimin e Rexhës në “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në vazhdim.