Fatmir Limaj | Foto: "Drejtësia në Kosovë"

Fatmir Limaj Përballet me Akuzën për Krimet në Bellanicë

“Në kohën e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, fshati Bellanicë ishte zonë e përgjegjësisë së Brigadës 121, komandant i së cilës ishte tani i akuzuari Fatmir Limaj, i njohur me pseudonimin “Komandant Çeliku”, tha prokurorja në seancën e sotme të gjykimit që po zhvillohet në Gjykatën e Gjakovës.

Ajo më tutje konstatoi se Limaj ishte në dijeni për kryerjen e këtyre dy vrasjeve.

“I akuzuari Fatmir Limaj ishte në dijeni se personat me maska kanë rrëmbyer një civil. Për këtë e njoftoi te ‘Shupa’ e Banjës Enver Hoxha, djali i të ndjerit Ramiz Hoxha, i cili së bashku me kushëririn e tij Ejup Hoxha i është vënë pas rrëmbyesve të babait të tij. Qysh nga momenti i rrëmbimit i akuzuari Fatmir Limaj dinte për krimin që ishte duke ndodhur”, shtoi prokurorja Drita Hajdari.

Ndërsa, Tahir Rrecaj, avokat i të akuzuarit Limaj, e kontestoi përgjegjësinë komanduese të Limajt për vrasjet në territorin e komunës së Malishevës.

“…të konfirmuar nga vet Prokuroria se personat se pretendohet se e kanë kry veprën janë të paidentifikuar dhe më tutje ta mbaj qëndrimin se ata kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së. Unë nga deklaratat e dëshmitarëve dhe nga dëshmitë që keni ju zoti kryetar i keni në shkresat e lëndës nuk del se dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të kenë konfirmuar faktin notor se ata kan qenë pjesëtarë të UÇK-së”, tha avokati mbrojtës Tahir Recaj.

Avokati Rrecaj më tutje në fjalën e tij hyrëse theksoi faktin që Prokuroria nuk i ka vërtetuar disa fakte të cilat janë të paargumentueshme.

“Nëse do të vërtetohej se kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së duhej të vërtetohej fakti se pjesëtarë të cilës njësi kanë qenë pikërisht për faktin se përgjegjësia komanduese si komandant mund të trajtohet edhe një person nëse tre apo katër veta e trajtojnë si komandant dhe i nënshtrohen urdhrave të tij”, shtoi avokati.

Para se të shkohej në pauzë, mbrojtja kishte kërkuar që të përjashtohet publiku nga salla e gjykimit në mënyrë që të diskutohet një kërkesë e mbrojtjes.

KALLXO.com ka mësuar që mbrojtësi i Fatmir Limajt, avokati Tahir Rrecaj i ka propozuar Prokurorisë që të gjitha provat dhe dëshmitë që ka vetëm të lexohen për hir të efikasitetit pasi që i akuzuari Limaj është duke u ballafaquar edhe me akuza të tjera në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas propozimit të mbrojtjes pajtohen që të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat materiale të konsiderohen të lexuara.

Nga ana tjetër, prokurorja Drita Hajdari ka kërkuar kohë deri të premten që të deklarohet lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes.

Gjykimi është ndërprerë për kohë të pacaktuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-fatmir-limajt/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-si-u-vra-ramiz-hoxha-nga-bellanica/

http://kallxo.com/prova-te-reja-per-vrasjen-e-bellanices-ne-vitin-1998/

Limaj në Emisionin “Drejtësia në Kosovë tha se tashmë është hetuar në lidhje me vrasjet e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

http://kallxo.com/limaj-u-hetova-4-per-vrasjen-e-ramiz-hoxhes/

Më 26 dhjetor 2016, KALLXO.com shkroi se Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar hetime të reja lidhur me këto vrasje, pas transmetimit të dy pjesëve të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

http://kallxo.com/hetime-te-reja-per-krime-lufte-ne-rastin-limaj/