Foto: BIRN

Fati i Statujës së 'Aleksandrit' të Maqedonisë, i Pasigurt

Në qershor të vitit 2011, disa nga banorët e Shkupit dhe njerëz nga qytete të tjera, që kishin shkuar atje për këtë rast, qanë nga gëzimi ndërsa panë një vinç gjigant të vendoste një statujë bronzi të Aleksandrit të Madh në një piedestal të lartë në sheshin qendror të Shkupit “Maqedonia”.

Struktura kolosale prej 24 metrash shihej gjerësisht si kulmi i rindërtimit masiv të kryeqytetit të sponsorizuar nga qeveria, i quajtur “Shkupi 2014”.

Kritikëve të qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga VMRO DPMNE,  u dukej e pamundur të bindin shumicën e popullsisë për dobësitë e saj.

Ata thanë se statuja ishte shumë e madhe për t’u përshtatur me sheshin dhe, pasi kushtoi më shumë se 8 milionë euro, ishte një statujë shumë e shtrenjtë për një nga vendet më të varfra të Europës.

Siç druheshin shumë, Greqia gjithashtu e dënoi statujën si “provokuese”, duke pretenduar se Aleksandri ishte ekskluzivisht pjesë e trashëgimisë helene.

Për më tepër, Greqia e përdori këtë çështje për të justifikuar më tej bllokimin e përpjekjes së Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në, duke akuzuar fqinjin e saj të vogël për irredentizëm dhe se po përpiqej “të vidhte” kulturën e saj.

Por makineritë e fuqishme e propagandës së VMRO DPMNE-në nuk pati probleme me kritikat në vend.

Statuja do të sillte të ardhura nga turistët, tha ajo, dhe do të nxiste identitetin kombëtar të vendit.

Greqia nuk kishte të drejtë të ankohej, pasi statuja u emërua zyrtarisht “Luftëtari kalorës”, jo “Aleksandri i Madh” apo “Aleksandri i Maqedonisë”, siç preferojnë ta thërrasin shumë vendas mbretin luftëtar.

Shtatë vjet më pas, pasi për “Shkupi 2014” u shpenzuan më shumë se 700 milionë euro, Maqedonia po merr ende veten nga një krizë e gjatë politike që përfundoi vetëm në maj me rrëzimin e VMRO DPMNE-së nga qeveria, e cila u akuzua gjerësisht për kriminalitet dhe tendenca autoritare.

Qeveria e re e udhëhequr nga Social Demokratët, e gjendur nën presionin e shumë prej mbështetësve të saj – të cilët e shohin rikonstruktimin si një simbol irracional, megalomaniak dhe plot korrupsion të regjimit të kaluar – ka urdhëruar një rishikim të projektit “Shkupi 2014”. Ajo ka lënë të kuptohet edhe se po rimendon ta lëvizë që aty statujën e madhe.

“Ka disa opinione në lidhje me atë që mund të bëjmë me këtë statujë. Heqja e saj do të ishte e kushtueshme. Për këtë jemi dakord që të gjithë,” tha për BIRN një burim pranë qeverisë së re në kushte anonimiteti.

“Por nëse ajo duhet të hiqet, nëse ky është vendimi përfundimtar, qoftë për arsye diplomatike (për t’i bërë qejfin Greqisë pas përpjekjeve të reja për të zgjidhur mosmarrëveshjen) apo për arsye të tjera, unë s’do të derdh asnjë lot për atë gjë të shëmtuar,” shtoi i njëjti burim.

Zyrtarisht, kreu i komisionit të ri të krijuar nga ministria për të hetuar secilën nga statujat e shumta të ngritura si pjesë e këtij projekti, Miroslav Grcev, shkaktoi trazirë javën e kaluar kur ai la të kuptohej mundësinë e heqjes së monumentit gjigant.

Kjo statujë, bashkë me disa të tjera “do të të duhet të hiqet” tha ai për mediat javën e kaluar, duke cituar si arsye kryesore për këtë se qeveria e kaluar shmangu procedura të nevojshme ligjore duke mos u konsultuar me parlamentin e vendit për të.

Ndërsa dielli i dobët e dimrit mbulon statujën që mbizotëron në shesh, shumë kalimtarë dikën të pasigurt në lidhje me heqjen fare apo të një pjese të saj.

“Është aq e gjatë, saqë s’e vë re më kur eci. Arrin të shohësh vetëm shatërvanin poshtë saj, ndërsa kali është atje lart. Mund ta shohësh vetëm nga larg,” tha për BIRN Borce, një avokat nga Shkupi ndërsa kalonte poshtë hijes së saj.

“Ndoshta nëse heqim kalin, por mbajmë shatërvanin, ky do të ishte një kompromis i mirë,” shtoi ai.

“S’e kam shumë përzemër. Tani kemi shumë statuja. Aq sa nuk numërohen. Nëse e heqin, shumë mirë. Nëse nuk e heqin, prapë shumë mirë. edhe pse mendoj se tani kemi shumë çështje të tjera më të rëndësishme sesa të shpenzojmë para për heqjen e saj,” tha një grua e quajtur Snezana, ndërsa kalonte me dy fëmijët e saj në shesh.

Slavko Matevski, një pensionist që jeton pranë sheshit kryesor, s’kishte kohë për të. “Kjo është një çmenduri që s’duhet të ishte ngritur kurrë këtu, njësoj si edhe shumë gjëra të tjera,” tha ai.

“Kujt i hyn në punë ajo? A jemi vërtet aq të pasur? Jo! Nëse qeveria gjen një mënyrë për të kthyer paratë e shpenzuara për të, mund ta heqin, edhe pse dyshoj shumë se mund të ndodhë. Përndryshe, lëreni aty ku është dhe të na kujtojë budallallëkun tonë,” shtoi ai.

Por disa të tjerë thonë se qeveria do të kryente një akt poshtërues tradhtie kombëtare nëse heq luftëtarin kalorës.

“Maqedonia është përjetë! Dhe ky monument është këtu për të na e kujtuar këtë. Pse një njeri me trutë në vend do ta hiqte atë nga vendi që i takon? Për t’i bërë qejfin Greqisë?” pyeti Angele, një shitës gështenjash në rrugë ndërsa i shërbente klientëve të tij.

“Grekët thjesht do të na poshtërojnë dhe do të vazhdojnë të na bllokojnë anëtarësimin në NATO,” shtoi ai.

Statuja shihet si letër në lojën diplomatike të pokerit

Asnjë në ministrinë e jashtë s’dëshiron të sqarojë qartë nëse Maqedonia do ta heqë statujën si shenjë e një vullneti të mirë si pjesë e përpjekjeve për ta ulur Greqinë në tavolinën e diskutimit në lidhje me mosmarrëveshjen e gjatë përsa i takon çështjes së emrit.

“Nuk do ta ndihmonim diplomacinë tonë nëse i tregojmë para kohe strategjitë tona,” tha për BIRN një burim i paidentifikuar nga ministria e jashtme.

“Po, ne jemi në dijeni të konsideratave që thonë se kjo do të ndihmonte përpjekjet diplomatike, duke i dërguar një sinjal pozitiv Greqisë, por tani jemi në një pikë shumë të ndjeshme, kështu që s’do të komentoj më tej.”

Rinisja e shumëpritur e bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB-ja midis Maqedonisë dhe Greqisë do të zhvillohet më 11 dhe 12 dhjetor në Bruksel.

Raundi i ri i bisedimeve vjen ndërsa optimizmi rritet në të dy vendet përsa i takon zgjidhjes së problemit disavjeçar që ka penguar aspiratat e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

Ndërkohë, qeveria e re e Maqedonisë, duket e vendosur të ndalojë nxitjen e provokimeve të mëparshme.

I pyetur për mundësinë e heqjes së statujës më herët këtë muaj, ministri i jashtëm Nikola Dimitrov refuzoi të jepte një përgjigje të qartë, por përsëriti se politikat e kaluara të qeverive maqedonase kanë qenë “të dëmshme për imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë”.

Klubi Diplomatik i Maqedonisë, i cili bashkon diplomatë nga i gjithë vendi, këtë muaj propozoi që emri i aeroportit të Shkupit “Aleksandri i madh” të ndryshonte dhe të merrte emrin e presidentit të parë të Maqedonisë “Kiro Gligorov”.

Kryeministri Zoran Zaev u përgjigj shpejt duke thënë se ideja i dukej e pranueshme.

Po rritet rezistenca midis opozitës

Qeveria do ta kapërdinte më lehtë riemërtimin e aeroportit sesa heqjen e një monumenti gjigant që partia VMRO DMPNE është zotuar se do ta mbrojë.

Ish-kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së Nikola Gruevski, i cili shihet gjerësisht si organizatori pas projektit të rinovimit të sheshit të Shkupit, tha për faqen e internetit Republika në një intervistë të publikuar javën e kaluar dhe këtë javë, në katër pjesë, se kur partia e tij të vijë përsëri në pushtet, ata do të rindërtojnë çdo monument që “qeveria kukull” do të ketë hequr gjatë kësaj kohe.

“Jo nga inati, por për shkak të historisë tonë, shtetësisë tonë, për shkak të numrit të madh të patriotëve në Maqedoni që e duan vendin e tyre dhe respektojnë historinë e tij, si edhe për viktimat e lirisë që kemi sot. Rikthimi i monumenteve do të jetë thjesht trashëgimi e VMRO DPMNE-së,” tha Gruevski.

Gruevski nuk përmendi nëse partia e tij do të organizojë protesta apo ndonjë lloj rezistence tjetër, nëse qeveria aktuale heq statujën gjigante.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse partia e Gruevskit do të rikthehet së shpejti në pushtet, pas mposhtjes së saj në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor.

Nuk është gjithashtu e qartë se sa gjatë mund t’i rezistojë ai thirrjeve në rritje për largimin nga posti i drejtuesit të partisë.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë përballen me hetime dhe akuza penale të ngritura nga Prokuroria Speciale e vendit për disa vepra të kryera gjatë kohës që ata ishin në pushtet.

Ai mund të dojë të përqendrohet te fati i tij dhe jo tek ai i statujës gjigante.