Shpërndarja e plehut artificial dhe farës së misrit për fermerët e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Farë misri e pleh artificial për 500 fermerë gjilanas

Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Gjilanit ka shpërndarë sot farë misri e pleh artificial për 558 fermerë të cilët nuk kanë përfituar nga Ministria e Bujqësisë.

Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, farmerët e Gjilanit i ka uruar Arbër Ismajli, i cili tha se ky është vetëm fillimi i subvencioneve për ta nga ana e Komunës.

“Me këto subvencione ne po ua lehtësojmë punën fermerëve jashtëzakonisht shumë. Synimi ynë është që asnjë pëllëmbë toke të mos mbetet pa e punuar sepse në këtë mënyrë forcohet familja bujqësore. Sivjet kemi paraparë rekord subvencionesh për farmerët”, tha Ismajli.

U.d i drejtorit të Bujqësisë,Vahid Aliu, ka njoftuar se 558 farmerët janë mbështetur me 600 thasë misër dhe mbi 50 tonë pleh artificial, vlera e të cilëve ka arritur në 27 mijë euro.

Ai njoftoi se gjatë muajve të ardhshëm do të implemetohet projekti i subvencionimit të bletarëve me pajisje, ngritja e 20 hektarëve me kulturë të arrës, shpërndarja e farës së grurit e plehut artificial dhe projekte të tjera.