Pllaka përkujtimore për dy policët e vrarë, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, e zbuluar në nëntor 2016 | Foto: KALLXO.com

Familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj ‘të Tronditura’ Nga Dëshmia Televizive e Shkumbin Mehmetit

Tri familje nga rajoni i Dukagjinit, familjarët e të cilave janë vrarë në fillim të dekadës së kaluar në rrethana ende të pasqaruara, thanë sot se janë të tronditura nga dëshmia televizive që mbrëmë e dha Shkumbin mehmeti, një i dënuar për pjesëmarrje në një vrasje në rrethinëne Podujevës, në vitin 2004.

Shkumbin Mehmeti foli mbrëmë në Klan Kosova për një grup kriminal në të cilin thoshte se ka bërë pjesë e për të cilin tha se ka dorë në shumë vrasje të pasluftës në Kosovë.

Ndër vrasjet që i përmendi Mehmeti janë edhe ato të Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt, të vrarë në dy raste të ndryshme në rrethinën e Pejës në vitin 2003.

Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj lëshuan sot një deklaratë të përbashkët rreth kësaj dëshmie të cilën të plotë mund të lexoni më poshtë:

Dje, më datë 11 janar 2018, në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, është transmetuar dëshmia e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, ku janë dhënë dëshmi tronditëse për krime të pandriçuara në Kosovë.

Në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera, ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e Kolonel Tahir Zemajt si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve.

Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherit i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj.

Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij.

Jemi thellësisht të indinjuar që pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit.

Familjet tona ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar.