Arkeologia Brikena Shkodra gjatë gërmimeve | Foto nga G. Kabashi

Familjet Durrsake Hapin Dyert për Ekspeditat Arkeologjike

Luljeta Dakoli, me profesion mësuese, është pensioniste prej vitesh dhe banon shumë pranë qendrës së Durrësit. Në oborrin e shtëpisë së saj private një grup arkeologësh sapo kanë zbuluar elementët e një pishine, që i përket shek. 5 të erës sonë.

“Mund të jetë fjala për një banesë private apo kompleks termal, por edhe për një pallat publik perandorak,” shprehen arkeologët, duke sqaruar edhe prejardhjen e pllakave prej mermeri me të cilat është ndërtuar monumenti.

“Në fushatat e ardhshme mund të kuptojmë lidhjet me zbulimet e tjera pranë,” thotë për BIRN, prof.as. dr. Brikena Shkodra, drejtuese e punimeve .

Znj. Luljeta ndjehet mirë që për objektin arkeologjik, i cili “fshihej” në thellësinë 3.8 metra, thuajse poshtë shtëpisë së saj, tashmë flasin edhe në edicionet e lajmeve, por ajo vetë ende nuk e di se cila do të jetë e ardhmja e zbulimit.

Para një viti Luljeta u shqetësua kur mësoi se po gërmohej në rrugën pranë shtëpisë, por ka mjaftuar një bisedë e gjatë me arkeologen Brikena Shkodra për t’i dhënë fund hezitimeve të saj.

“Unë e di se në këtë lagje janë zbuluar mjaft monumente dhe nuk habitem që kjo ndodh edhe pranë shtëpisë sime,” shprehet znj. Dakoli për BIRN.

Ngjashëm me Luljetën, një numër në rritje familjesh që banojnë në lagjet e vjetra të Durrësit, gjatë këtij viti kanë mbështetur kërkimet arkeologjike, duke vënë oborret e shtëpive të tyre në dispozicion të gërmimeve.

Megjithëse nuk e kanë detyrim ligjor, në shumicën e rasteve ata nisen nga rëndësia që kanë zbulimet e mundshme për qytetin ku jetojnë. Ndërkaq, institucionet publike vijojnë të jenë njëlloj të pandjeshme ndaj pasurisë kulturore që fsheh nëntoka e qytetit antik.

Gërmimë në muret rrethuese të qyteti të Durrësit | Foto nga : Gëzim Kabashi

“Në lagjen 11 ku banon Luljeta, specialistët kanë gjetur mbështetjen e mjaft familjarëve, të cilët në disa raste kanë hapur oborret e shtëpive në shërbim të punës së arkeologëve,” shprehet Brikena.

“Kjo është një hapësirë me intensitet të lartë arkeologjik dhe zbulimet kanë qenë të shumta edhe në ekspeditat e tjera gjatë viteve të fundit,” shtoi ajo.

Ismail Osmani, punonjës policie në këtë rajon dëshmon për bashkëpunimin mes banorëve dhe arkeologëve të Durrësit.

“Pasi biseduam me një familje që jeton jashtë vendit, ata më vunë në dispozicion çëlsat e banesës dhe arkeologët për disa javë kryen gërmimet,” tregon përvojën e tij punonjësi i policisë së shtetit.

Tashmë dihet se në territorin nga pallati i Kulturës deri në Bulevardin e Dëshmorëve në veri, ku ndodhet lagjia 11 janë zbuluar Termat e periudhës romake, Forumi rrethor i periudhës bizantine, Mozaiku 2,400-vjeçar, i njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit”, disa mozaikë të tjerë të një rëndësie të veçantë apo lagjia antiko-mesjetare, që u zbulua nën ish-lulishten “1 Maji”.

Zbulimi dhe konservimi i tyre ka qenë fatlum vetëm për disa nga monumentet, ndërsa disa të tjerë mund të vizitohen pjesërisht vetëm nën themelet e pallateve shumëkatësh. Edhe në këto raste banorët kanë qenë shumë më të ndjeshëm ndaj objekteve arkeologjike, se sa bashkia që ka lejuar ngritjen e godinave mbi to.

Specialistët thonë se ka shumë pak shanse që objektet e zbuluara kohët e fundit, ku bën pjesë edhe pishina antike në oborrin e znj. Dakoli, të hapen dhe të konservohen. Buxhetet financiare të kërkuara janë të mëdha dhe përfshijnë edhe kompensimin e familjeve që duhet të lenë banesat e tyre. Ministria e Kulturës një vit më parë e la përgjysëm projektin për largimin e familjeve që banojnë mbi arenën e Amfiteatrit antik. 9 familje të tjera, që u përgatitën të transferohen për t’i lënë shteg zbulimit të arenës vazhdojnë të jenë aty dhe ende nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e projektit.

Ekipet e arkeologëve që nga fillimi i vitit 2017 kanë kryer sondazhe në disa hapësira urbane të Durësit. Njëri prej tyre synon studimin e mirëfilltë të mureve fortifikuese të qytetit në antikitet dhe në mesjetë. Si në mjaft raste të tjera, edhe për këto është kërkuar mirëkuptimi i familjarëve, në oborret e të cilëve është gërmuar për të gjetur të dhëna të tjera mbi themelet e mureve shumëshekullore.

Gërmimet arkeologjike në Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi

Kadri Sheshi, që banon pranë kullës F të murit rrethues të Durrësit mesjetar nuk është menduar dy herë që sipërfaqen pranë shtëpisë së tij private ta lerë për disa javë radhazi në dispozicion të arkeologëve.

“E kuptojnë menjëherë rëndësinë që ka gërmimi dhe bëhen shumë shpejt bashkëpunëtorët më të vlefshëm, duke na ndihmuar me gjithçka që mund të na mungojë,” tregon Brikena Shkodra.

Edhe në lulishten para Mauzoleut të Dëshmorëve një mision arkeologjik shqiptaro-francez  ka mbyllur me sukses fushatën e dytë të gërmimeve.

“Kemi zbuluar mjaft elemente të një stacioni tjetër termal, ndoshta i gjashti i hapur në 50 vitet e fundit në qytet,” thonë arkeologët. Zbulimi pranë territorit ku pritet të zbatohet projekti për krijimin e sheshit “Drejtësia” ka hapur përsëri një debat jo të vogël.

Ndërtimi i godinave të Prokurorisë dhe Gjykatës pritet të realizohet pikërisht në vendet ku janë evidentuar monumentet e periudhës antike.

Arkeologët shprehen se kjo hapësirë, në letër nuk i përket zonës A të riskut arkeologjik dhe mundësia e zbatimit të projekteve pa kryer sondazhe nuk është antiligjore, por zbulimet e fundit tregojnë hapjen e qytetit në lashtësi dhe larminë e monumenteve në antikitet dhe në mesjetë edhe në këtë territor.

Ndërkohë, pas protestave të fillimvitit, beteja ligjore vazhdon në gjykatën administrative të Durrësit lidhur me shkeljet e bashkisë përballë arkeologjisë gjatë zbatimit të projektit “Veliera”. Megjithë vendimin e Këshillit Arkeologjik Kombëtar për ruajtjen e objekteve të zbuluara gjatë punimeve të “Velierës” askush nuk e di se cila do të jetë e ardhmja e monumentit.

Tre vjet më parë një grup pune ka dorëzuar në Ministrinë e Kulturës një hartë të qytetit antik, duke kërkuar edhe zgjerimin e zonës A të riskut arkeologjik edhe me 200 metra të tjera drejt veriut, pikërisht atë të lagjes 6, një tjetër territor me intensitet të lartë zbulimi.

Përgjigja entuziaste e dikasterit të kulturës përfundonte me sugjerimin e diskutimit të këtij projekti me bashkinë e qytetit, “për shkak të veçorive urbanistike dhe demografike që ka Durrësi.”