Familjarët kërkojnë t’i bëhet presion Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve – Foto: Atdhe Mulla

Familjarët Kërkojnë Presion mbi Serbinë për të Pagjeturit

Familjarë të personave të pagjetur u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe Bashkimit Evropian, që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të familjeve që kanë persona të zhdukur kanë vendosur lule e kurora lulesh te monumenti për personat e pagjetur, afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Bajram Qerkinaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacionit për të Pagjeturit, tha se sikur institucionet e Kosovës të ishin më këmbëngulëse për t’i bërë presion Serbisë puna do të ishte më mirë për familjet e të pagjeturve.

Ai tha se familjet kanë dhënë të gjitha të dhënat e nevojshme që janë kërkuar ndërkohë që kritikoi institucionet që nuk po i kryejnë punët që u takojnë.

Sipas Qerkinajt, zgjidhja a çështjes së të pagjeturve arrihet duke i shtyrë institucionet ndërkombëtare si EULEX-i dhe BE-ja për t’i bërë presion Serbisë.

Kjo sipas tij duhet të bëhet nga përfaqësuesit kosovarë dhe nga presioni i familjeve të të pagjeturve, ndërsa pati kritikë edhe për këta të fundit. “Kemi mbi 1600 persona të zhdukur dhe këtu nuk mund të jenë prezentë 500 familjarë të tyre”, tha ai.

Pranë monumentit për të pagjeturit kurora me lule kanë vendosur kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, përfaqësues të FSK-së, familjarë e përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve.

Me këtë rast, Isa Mustafa tha se do të kërkohet nga BE që të rritet presioni ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve ka thënë se e tërë shoqëria duhet të angazhohet sa më shumë që kjo çështje të mbyllet sa më parë.

“Unë mbetem i përkushtuar dhe në çdo instancë vazhdoj të kërkoj që çështja e të pagjeturve në Kosovë të zbardhet, për secilën familje, dhe kjo plagë të mbyllet”, ka shkruar ai.

Edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se çështja e të pagjeturve duhet të jetë obligim i të gjithëve. “Të gjithë ata që i kanë shkaktuar këto dhimbje të mëdha popullit të Kosovës, duhet të marrin përgjigjen e merituar”, ka shkruar ai në “Facebook”.

http://kallxo.com/fati-personave-te-zhdukur-prioritet-eulex/

Familjarët kërkojnë t’i bëhet presion Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve – Foto: Atdhe Mulla
Familjarët kërkojnë t’i bëhet presion Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve – Foto: Atdhe Mulla