Foto: KALLXO.com

Falsifikuesit e Trashëgimisë të Pakapshëm për Noterët

Një hulumtim i KALLXO.com zbuloi se noterët dhe gjyqtarët nuk kanë mekanizma për të verifikuar saktësinë e aktvdekjes dhe siguruar të drejtat e të gjithë trashëgimtarëve.

Tani Ministria e Drejtësisë thotë se në këtë drejtim janë në proces të ndryshimit të Ligjit për Noterinë dhe harmonizimin me ligjet tjera.

Noterët me ligjin aktual për ta nuk kanë të drejtë qasjeje në regjistrin civil për të vërtetuar trashëgimtarët, por një gjë e tillë mund t’u mundësohet.

Këtë e thotë për KALLXO.com Elbasan Dervishaj udhëheqës i Zyrës për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë.

“Oda e Noterëve së bashku me Ministrinë e Drejtësisë janë duke punuar në atë drejtim, mirëpo legjislacioni aktual nuk e lejon dhe noterët nuk kanë qasje në regjistrat civilë. Duhet bërë harmonizimi i Ligjit për Noterinë me Ligjin për Trashëgiminë. Tanimë është duke u punuar në plotësim-ndryshimin e ligjit aktual për noterinë me të cilin do të rregullohet kjo çështje,” tha Dervishaj.

Shqyrtimi i trashëgimisë është një proces juridik i kalimit të pasurisë, të drejtave, por edhe detyrimeve nga i ndjeri tek pasardhësit e tij.

Në Kosovë, të autorizuar për të shqyrtuar trashëgiminë janë gjykatësit si dhe noterët e licencuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ministri njëkohësisht edhe mbikëqyr punën e tyre.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, si dhe KALLXO.com kanë publikuar disa hulumtime, të cilat kanë evidentuar raste ku gjatë procesit të shqyrtimit të trashëgimisë, disa femrave u është mohuar e drejta në trashëgimi.

Një hulumtim i KALLXO.com, ka sjellë se vetëm në Gjykatën e Ferizajt, ishin jashtë raste ku femrat kanë ushtruar padi, me pretendimin e u janë shkelur të drejtat e tyre pronësore dhe për këtë i janë drejtuar gjykatës.

Jo në pak raste të ndarjes së trashëgimisë manipulohet aktvdekja duke mos u deklaruar të gjithë trashëgimtarët, sidomos pasardhëset femra të trashëgimlënësit.

Prandaj gjyqtarët dhe noterët që merren me shqyrtimin e trashëgimisë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të deklarimit të rremë nën betim para tyre gjatë shqyrtimit të ndarjes së trashëgimisë.

Gjyqtarët dhe noterët deklarimin nën betim e praktikojnë në rastet kur dyshojnë në saktësinë ose vërtetësinë e dëshmisë mbi vdekjen, ndërsa gjyqtarët kanë edhe të drejtë që të plotësojnë apo edhe përpilojnë në tërësi këtë dokument në rastet kur dyshojnë.

Të pyetur nga KALLXO.com, kryetarja e Odës së Noterëve të Kosovës, Arbena Shehu, gjyqtarja në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Drita Rexhaj, si dhe noteri dhe profesori i të drejtës së detyrimeve në Universitetin e Prishtinës, Sefadin Blakaj thanë se deklarimi nën betim nuk është mekanizëm i mjaftueshëm që siguron se drejtat e trashëgimtarëve nuk do të cenohen.

Elbasan Dervishaj është i vetëdijshëm se aktualisht se aktvdekja është mekanizmi i vetëm në dispozicion të noterëve për të vërtetuar trashëgimtarët dhe masën trashëgimore, ndërsa thotë se kur ka deklarime të rrejshme me to duhet të merren organet kompetente.

KALLXO.com lidhur me rastet e deklarimit të rrejshëm ka kërkuar informacion edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por nuk ka pranuar përgjigje.

KALLXO.com dhe “Drejtësia në Kosovë” e kanë trajtuar gjerësisht ndikimin e kanunit dhe mentalitetit në lënien pa trashëgimi të grave.

Trashëgimia në Kosovë – femrat ende besnike ndaj “traditës dhe Kanunit”

http://kallxo.com/noteret-dhe-gjykatesit-nuk-mund-ti-verifikojne-trashegimtaret/