Rektori Marjan Dema në përurimin e Qendrës për Simulim dhe Zhvillim të Aftësive Klinike - Foto: KALLXO.com

Fakulteti i Mjekësisë Bëhet me Qendër të Re të Simulimit (Foto)

Në degën e Infermierisë, në objektin B të Fakultetit të Mjekësisë, është inauguruar Qendra për Simulim dhe Zhvillim të Aftësive Klinike.

Qendra do të jetë e hapur jo vetëm për studentët e Infermierisë por për të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë që duan t’i provojnë aftësitë e tyre klinike në manekinët dhe pajisjet e ndryshme.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka, në inaugurimin e Qendrës tha se studentët e Mjekësisë për herë të parë do të mund t’i provojnë shkathtësitë e tyre mjekësore.

“Themelimi i Qendrës ka qenë njëra nga pikat e vizionit në kuadër të strategjisë zhvillimore të Fakultetit të Mjekësisë që nga fillimi i mandatit. Kjo qendër do të përmirësojë mësimdhënien dhe mësimnxënien e shkathtësive klinike duke simuluar ambiente reale që u mundëson studentëve të ushtrojnë teknika të ndryshme klinike në modele trupore para se ata të angazhohen në praktikën klinike me pacientë të vërtetë”, tha Manxhuka.

Ajo shtoi se studentët mund të bëjnë gabime te simulatorët duke mësuar në ambient të sigurt pa e rrezikuar shëndetin e pacientëve.

Sylejman Rexhepi, shef i degës së Infermierisë, u shpreh më optimist për akreditimin të degës të cilën ai e udhëheq pas hapjes së qendrës.

Ndërsa, prodekani për Çështje Mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, Kreshnik Hoti u shpreh se kësaj Qendre do t’i duhet më shumë përkrahje financiare por edhe një person që e drejton atë.

Ndër të tjera Hoti shtoi se Qendra ka pajisje për disa forma të trajtimit.

“Pajisjet që do ta facilitojnë mësimin janë në fushën e reanimacionit, kujdesit emergjent dhe traumës. Pra diçka kemi për momentin por, sigurisht se ka nevojë për pajisje të reja”, deklaroi ai.

Ky i fundit paralajmëroi se faza e ardhshme do të mundësojë vizualizimin, ku studentët do të përfitojnë në lëndën e anatomisë, histologjisë, radiologjisë, kirurgjisë si dhe ortopedikës.

Në inaugurim mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili u shpreh se Qendra i kontribuon lidhjes së punës praktike me punën klinike.

KALLXO.com mëson se në këtë Qendër do të ketë një person që do t’i udhëzojë studentët e interesuar në përdorimin e pajisjeve të ndryshme.