Agron Kuçi, kryetar i komunës së Junikut

Fakte të Shpejta për Junikun

Agron Kuçi është në mandatin e dytë si kryetar i komunës se Junikut.

Kur qytetarët e Junikut e kishin votuar Agron Kuçin si në zgjedhjet e vitit 2009 ashtu edhe në ato të vitit 2013, besonin se Kuçi do të bëjë më shumë se sa rivalët e tij për këtë komunë të re.

Por në një komunë me rreth 7 mijë banorë, ai nuk mund të shpresonte në një buxhet më të madh se 1.3 milion euro.

Tani gjysma e mandatit të tij të dytë si kryetar i komunës ka kaluar dhe ka ardhur koha për ta bërë një bilanc të atyre çka ka realizuar e çka jo nga premtimet që i ka bërë dy vjet më parë në debate dhe tubime parazgjedhore.

Kuçi e ka dhënë një bilanc të tij në emisionin “Jeta në Komunë” të moderuar nga jeta Xharra.

Këto janë disa fakte të shpejta për komunën e Junikut:

1. Kullat dhe odat janë gjëja e parë që një njeriu i shkon në mend kur përmendet Juniku.

2. Juniku nuk ka çerdhe për fëmijë.

3. Në komunën e Junikut nuk ka përfunduar ende procesi i emërtimit të rrugëve.

4. Komuna e Junikut nuk ka zyrtar për informim

5. Në Junik nuk është ndërtuar tregu i gjelbër i premtuar qe dy mandate. Tregu aktual është në kushte të mjerueshme.

6. Komuna e Junikut në vitin 2015 ka inkasuar vetëm 1,820 euro tatim nga bizneset.

7. Asamblisti i LDK-së Shpejtim Gacaferri dhe ai i Vetëvendosjes Zenel Maloku nuk kanë paguar tatimin në pronë. Zenel Maloku deklaron se nuk do ta paguajë pasi që “mjetet financiare po keqpërdoren nga zyrtaret komunalë”.

8. Në komunën e Junikut ka mungesë të trotuareve.

9. Në komunën e Junikut ujërat e zeza derdhen ne lumin “Trava” edhe pse impianti për trajtimin e tyre është ndërtuar.

10. Kryetari Agron Kuçi kishte premtuar që në Fabrikën për përpunimin e frutave t’i punësojë 55 punëtorë. Aktualisht në këtë fabrikë punojnë vetëm 7.

11. KALLXO.com ka gjetur se në prill të vitit 2015 komuna ka nxjerrë vendim me dy logo.

12. i komunë e vogël, Juniku nuk ka mundur të ikë nga nepotizmi. Kadri Shala, babai i Drejtorit Komunal të Arsimit, Fatos Shala, është shef për kulturë dhe sport në këtë drejtori.

13. Agron Kuçi akuzohet nga opozita u bën favore asamblistëve komunalë duke u ofruar vende pune në këmbim të votave.

14. Një ndër premtimet më të mëdha të kryetarit Kuçi ishte asfaltimi i rrugës  Junik – Gjocaj – Jasiq. Ai kishte premtuar se do ta ndërtojë këtë rrugë deri në fund të vitit 2015 por kjo nuk është bërë ende.

15. Në QKMF në Junik nuk është futur në funksion aparati i rëntgenit për shkak të mungesës se një përforcuesi të rrymës.

16. I gjithë kabineti qeverisës komunal në Junik është i përbërë nga meshkujt.

17. Agron Kuçi ankohet se komuna e Junikut është diskriminuar nga kryeministri Mustafa në ndarjen e buxhetit.

18. Drejtori komunal i Arsimit në komunën e Junikut, Fatos Shala, nuk i paguan  borxhet komunës. Ai ka një biznes dhe e ka të papaguar taksën prej 670 euro deri në datën kur është mbajtur debati komunal.

19. Fenomeni i ndërtimeve pa leje në komunën e Junikut nuk është ndalur ende.

http://kallxo.com/premtimet-e-parealizuara-ne-junik-lidhen-me-isa-mustafen/