Nexhat Demaku, ish-Kryetar i Drenasit

Fakte të Shpejta për Drenasin

Nexhat Demaku, për të tretën herë doli para asamblistëve të komunës së tij, në emisionin “Jeta në Komunë”, për të treguar se çka ka realizuar dhe çka nuk ka realizuar në dyvjeçarin e parë të mandatit të tij të tretë.

Drenasi, i cilësuar njëra nga komunat më të asfaltuara, kritikohet nga asamblistët për cilësinë e rrugëve në këtë komunë.

Përveç kësaj, asamblistët e kësaj komune, Demakun e kritikojnë edhe për mos funksionalizimin e kanalizimit në shumë fshatra si dhe mos përfundimin e rrjetit të ujësjellësit.

Demaku që vjen nga PDK, zgjedhjet në këtë komunë i ka fituar për të tretën herë, duke mos pasur nevojë të shkohet as në balotazh me kandidatët e tjerë.

Faktet për këtë komunë:

1. Buxheti i komunës së Drenasit për vitin 2015 ka qenë 12 milionë e 100 mijë euro.

2. Komunës së Drenasit nga viti 2014 i kanë tepruar rreth 600 mijë euro, të cilat nuk kanë mundur të investohen.

3. Komuna e Drenasit ka më së shumti përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht është komuna me më së shumti rrugë të asfaltuara.

4. Komuna e Drenasit është e vetmja ku edhe asamblistët e pozitës edhe të opozitës kanë sjell foto në debat për të dëshmuar cilësinë e dobët të rrugëve që janë ndërtuar në këtë mandat.

5. Një anëtar i asamblesë komunale nga Iniciativa Qytetare e Drenasit, e themeluar për t’i bërë opozitë PDK-së, ka kaluar në këtë parti. PDK e ka marrë edhe një asamblist tjetër që ka fituar në zgjedhje si kandidat i pavarur.

6. Drenasi është ndër komunat më së paku e gjelbëruar edhe pse në vitin 2014 janë mbjellë rreth 200 fidane.

7. Kjo komunë nuk ka as një vend turistik dhe nuk ka ndarë as një cent për turizmin komunal.

8. Lagja e Dëshmorëve e premtuar për tri mandate, ende nuk ka përfunduar. Madje nuk janë ndarë as trojet e parcelat në emra të përfituesve.

9. Në Drenas ka shumë fshatra që s’kanë as rrjet të ujësjellësit e as të kanalizimit.

10. Në këtë mandat janë larguar vetëm 15 deponi mbeturinash ndërsa besohet se janë mbi 40 deponi të tjera.

11. Drenasi ka një drejtori komunale që udhëhiqet nga një grua njejtë si Istogu, Peja e Deçani.

12. Komuna nuk i ka përkrahur zejet e vjetra

13. Është ndërtuar mbikalimi në magjistralen Prishtinë- Pejë.

14. Gjatë vitit 2014-2015 janë ndërtuar 9 terrene sportive në komunën e Drenasit.

http://kallxo.com/drenasi-i-asfaltit-te-prishur-shpejt-nje-lagje-te-mbetur-ne-leter/