‘Facebook’ Nuk e Njeh Kodin +383, Llogaritë Kosovare Mund të Jenë në Rrezik

Verifikimi i dyfishtë i llogarive në Facebook mund të jetë problematik nëse kjo platformë nuk e njeh kodin telefonik shtetëror të Kosovës, raporton KALLXO.com

Implementimi i plotë i kodit shtetëror telefonik të Kosovës, +383 nuk po kalon pa sfida të njohjes kryesisht nga platformat online.

Qershori pritet të jetë muaji i fundit kur në Kosovë funksionojnë kodet telefonike +377 dhe +386 pasi kodi i vetëm funksional për thirrje ndërkombëtare do të jetë ai shtetëror +383.

Drejtori i Autoriteti Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare (ARKEP) kishte treguar për fazën përfundimtare të implementimit të  kodit shtetëror.

“Faza tjetër është faza kur do të fillojë largimi i kodit 381, si dhe përdorimi edhe në thirrjet dalëse i kodit 383 të telefonisë mobile, dhe përfundimisht në qershor pritet të gjitha kodet e huaj të largohen dhe të funksionojë vetëm kodi 383”,  kishte thënë Gashi.

Kodi shtetëror që buroi nga marrëveshja e arritur në dialogun Kosovë-Serbi ka arritur të jetë i përdorshëm për thirrje ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve me operatorë të huaj telefonikë.

Megjithatë ka ende platforma të mëdha siç është ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’ që nuk e njohin këtë kod.

Ermal Sadiku,  njohës i kësaj fushe kishte analizuar për KALLXO.com rrezikun e bllokimit të kuletave dixhitale në kryptovaluta nëse nuk njihet kodi shtetëror.

A  konsideron se i njëjti rrezik vlen edhe për llogaritë e Facebook-ut që kërkojnë verifikim përmes numrit të telefonit.

KALLXO.com kishte kontaktuar me ARKEP për të mësuar marrëveshjen që janë arritur apo lobimi që është bërë për njohjen e këtij kodi nga platformat online.

Sipas tyre ende nuk ka përgjigje nga Facebook dhe Instagram që është po ashtu në pronësi të Facebook.

“E konfirmojmë që është kontaktuar edhe Facebook dhe presim pergjigje edhe nga ata. Instagram poashtu shfrytëzon platformën e njëjtë”, thuhet në përgjijgen e ARKEP.

Në anën tjetër, kodi +383 është i përdorshëm në platformat ‘Viber’ dhe ‘Whatsapp’.

KALLXO.com ka raportuar edhe lidhur me rrezikun e kuletave dixhitale të kryptovalutave nga implementimi i kodit shtetëror telefonik.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar rrugën e arritjes së marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik.

Kronikë e një Licence të Paralajmëruar