Evidentohen 106 Vetura, Dyshohet se Janë të Padoganuara

Njësia e Auto-Krimeve e Policisë Rajonale në Mitrovicë dhe një njësi mobile e Doganës kanë kryer më 14.03.2017 kontrolle në tri deponi veturash në lokacione të ndryshme dhe me këtë rast janë evidentuar 106 vetura, për të cilat dyshohet se u janë shmangur obligimeve doganore.

Zyra për Informim Publik e DRP Mitrovicë njofton se aksioni është ndërmarrë pas një informacioni të pranuar nga Njësia e Auto-Krimeve më 13 mars 2017.

Sipas Policisë, dyshohet se në këto deponi demolohen këto vetura dhe pastaj shiten për pjesë.

Për çështjen e shmangies doganore merret Dogana e Kosovës.

Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar që të vazhdohet me procedurën e hetimeve të mëtutjeshme.

Në maj të vitit të kaluar Dogana e Kosovës kishte zbuluar rreth 50 makina të padoganuara pas një informacioni të cilin ia kishte përcjellë KALLXO.com.

http://kallxo.com/dogana-ne-aksion-kunder-makinave-te-padoganuara/