EULEX: Malcolm Simmons Është Duke u Hetuar

EULEX-i në një deklaratë, pasi u botua në gazetën franceze “Le Monde” një intervistë e ish-zyrtarit ë këtij misioni Malcolm Simmonsd, bëri të ditur se ai është nën hetime.

“Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thuhet në deklaratën e EULEX-it.

Sipas artikullit në “Le Monde”, Simmons që ishte udhëheqës i gjyqtarëve të EULEX-it e akuzoi misionin europian se është mision politik që e ka mision rrëzimin e një pjese të klasës politike të Kosovës, duke përmendur edhe Fatmir LImajn.

Por EULEX-i në deklaratën e tij tha se hetimet ndaj Simmons-it për çështje të ndryshme janë në faza të ndryshme.

“Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thuhet në deklaratë.

Më tutje EULEX-i tregon se janë duke hetuar edhe pretendimet e paraqitura nga Malcolm Simmons.

“Të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga z. Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij”, thuhet në deklaratë.

EULEX-i e përmbyll deklaratën me fjalët “se nuk e paragjykon epilogun e hetimeve të tanishme dhe i mirëpret përfundimet e tyre të cilat do të bëhen publike”.

KALLXO.com shkroi sot për ato që tha Simmons për “Le MOnde”.