Shefja e EULEX-it vendos kurorë me lule te vendi ku u vra doganieri lituanez - Foto: EULEX

EULEX Kujton Doganierin e Vrarë në Veri 4 Vjet më Parë

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka vendosur një kurorë me lule në vendin ku katër vjet më parë u vra doganieri lituanez, Audrius Shenaviçius.

Doganieri ishte pjesë e misionit EULEX dhe u vra në krye të detyrës në pjesën veriore të Kosovës më 19 shtator 2013.

Shenaviçius u nderua me një minutë heshtje edhe nga një përfaqësues i Komunës së Zveçanit dhe komandant rajonal i Policisë  së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq.

“Sot katër vite më parë u vra tragjikisht kolegu ynë Audrius Shenaviçius. Sot ne po e nderojmë jetën e tij dhe shërbimin e përkushtuar të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Unë e ndaj dhimbjen me gruan dhe dy djemtë e tij, të cilët sot e kësaj dite ende nuk kanë marrë përgjigje në shumë pyetje lidhur me vrasjen e tij”, tha Papadopoulou.

“Audriusi bëri sakrificën sublime.  Asgjë nuk mund ta zëvendësojë humbjen e ndonjë të dashuri. Ne humbëm një pjesëtar të çmuar të ekipit tonë, kurse drejtësia duhet të vihet në vend. Unë i apeloj çdo personi që ka çfarëdo  informate që të paraqitet,” theksoi Papadopoulou.

EULEX-i vazhdon të kërkojë informata të cilat mund të ndihmojnë që kryerësit e vrasjes së Audriusit të dalin para drejtësisë.

Misioni i BE-së e shfrytëzoi edhe katërvjetorin e rënies së doganierit për të treguar se ofron shpërblim prej 82.000 euro për çfarëdo informate e cila sjell deri te arrestimi i kryerësit(ve) të vrasjes.