Gjykimi i Azem Sylës. Foto: Kallxo.com

EULEX-i Kufizon Mediat në Rastin e Azem Sylës

Në gjykimin e Azem Sylës dhe 21 personave tjerë për keqpërdorim të tokave shtetërore, gjykata prej dsot ka kufizuar mediat gjatë ndjekjes së seancave.

Gjykata ka marrë vendim që fotografimet, xhirimet, ose incizimet të bëhen vetëm në 15 minutat e parë të seancave.

Gjykata thotë se vendimi për kufizim të incizimit, xhirimit e fotografimit është marrë ngase palët kanë të drejtën e respektimit të jetës së tyre private.

Gjykata në arsyetimin e vendimit konstaton se “ndalimi i regjistrimit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë pas 15 minutave të parë nuk e kufizon transparencën, meqë seancat gjyqësore mbeten publike”.

Gjykata gjithashtu thotë se “prania e mediave në shqyrtimin gjyqësor është e rëndësishme për qëllim të publicitetit dhe transparencës së drejtësisë”.

Megjithatë, Kodi i Procedurës Penale lejon video-regjistrimin televiziv të seancave të cilat janë publike dhe parasheh kufizime në raste të caktuara përmes aktvendimit të arsyetuar.

Ky aktvendim i gjykatës në rastin konkret nuk arsyeton mjaftueshëm se si xhirimi apo transmetimi i seancës më gjatë se 15 minuta cenon privatësinë e palëve në procedurë.

Gjykta më herët kishte mbyllur për media seancat ndaj ih-kryetarit të Gjykatës së Apelit Sali Mekaj.

http://kallxo.com/mbyllen-seancat-ndaj-sali-mekajt/

Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.