EULEX Flet për Kërkesën e Gjyqtarit për Ligjin e Trepçës

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, bëri të ditur se rasti i ngritur sot nga një gjykatës ndërkombëtar rreth Ligjit për Trepçën ka të bëjë me një rast specifik gjyqësor që po pret vendim nga ana e gjykatës.

Gjyqtari i EULEX-it, Werner Kannenberg i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese që ta shqyrtojë çështjen e detyrimeve të Trepçës ndaj kreditorëve dhe pretenduesve të tjerë.

Zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikoliq- Solomon, tha për KALLXO.com se ajo që ka bërë gjyqtari ndërkombëtar është një kërkesë dërguar Gjykatës Kushtetuese për ta sqaruar më tutje kushtetutshmërinë e Ligjit për Trepçën në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë të vendimit të kësaj jave.

“EULEX dëshiron të sqarojë se një gjyqtar ndërkombëtar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarim të mëtutjeshëm për Kushtetutshmërinë për Ligjin e Trepçës, duke pritur publikimin e plotë të aktgjykimit. Ky mocion i gjyqtarit i referohet rastit specifik që po pret vendimin gjyqësor në Dhomën Speciale të Gjykatës Supreme, që i është deleguar gjyqtarit në fjalë”, tha Nikoliq- Solomon.

Ajo u shpreh se gjyqtari ndërkombëtar kishte vepruar brenda kapaciteteve ligjore të përshkuara nga Kushtetuta e Kosovës.

“EULEX thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese si autoriteti më i lartë juridik për të vendosur në pyetjet kushtetuese është i palëkundshëm”, shtoi ajo.

Nikoliq- Solomon tha se kërkesa e gjyqtarit ndërkombëtar nuk ka të bëjë asgjë me kërkesën e Listës Serbe për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjti për Trepçën, kërkesë e cila këtë javë u hodh poshtë si e papranueshme nga Kushtetuesja.

“Ky mocion nuk ka aspak lidhje me kërkesat e mëparshme të Listës Serbe. Mocioni i gjyqtarit të EULEX-it është i lidhur me rastin specifik që po pret vendimin gjyqësor në Dhomën Speciale të Gjykatës Supreme që i është deleguar gjyqtarit në fjalë”, tha zëdhënësja e EULEX-it.