Erdogan Viziton Iranin, Pavarësisht Tensioneve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do ta vizitojë Iranin të martën për të mbajtur takime të nivelit të lartë, pavarësisht tensioneve të fundit rreth operacioneve të bombardimeve të udhëhequra nga Arabia Saudite në Jemen, raportoi Reuters.

Vizita ka qenë e planifikuar qe një kohë të gjatë por disa ligjvënës iranianë kanë bërë thirrje për anulimin e saj javën e kaluar pasi Erdogani publikisht mbështeti operacionin e Arabisë Saudite kundër rebelëve Huthi në Jemen dhe kritikoi Teheranin për përpjekje “për ta dominuar rajonin”.

Erdogan, i shoqëruar nga një delegacion i ministrave turq, do ta bëjë një udhëtim për t’u takuar me Presidentin Hassan Rouhani dhe liderin suprem Ali Khamenei, sipas një deklarate në sajtin presidencial turk të dhënë të shtunën.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr e dha këtë lajm të dielën në mëngjes.

“Gjatë vizitës do të adresohen marrëdhëniet bilaterale në të gjitha dimensionet dhe do të ketë shkëmbim të pikëpamjeve në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Dy vende kanë lidhje të forta ekonomike, me Iranin e zhytur në sanksione që është furnizuesi i dytë me gas i Turqisë, duke ofruar 10 milionë metër kub në vit.

Megjithatë marrëdhëniet diplomatike kanë ngecur ditëve të fundit, sidomos pas mosmarrëveshjeve se si të zgjidhet çështja e luftës civile në Sirinë fqinje.